Milani e mposht Veronën, e vazhdon presionin ndaj Interit

  • A.P /
  • 07 March 2021 - 17:18
Milani e mposht Veronën, e vazhdon presionin ndaj Interit

Megjithëse pati shumë mungesa të mëdha, Milani ia doli ta mposhtë pa telashe 2:0 Hellas Veronën në udhëtim, duke e mbajtur Interin nën presion në garë për titull.

Rade Krunic dhe Diogo Dalot shënuan nga një herë në secilën pjesë për t’ia siguruar skuadrës së Stefano Piolit një fitore të rëndësishme që e mban në luftë për titull.

Verona, që ka ditur t’iu nxjerrë shumë telashe ekipeve të mëdha këtë sezon, nuk u duk asnjëherë vërtet e rrezikshme për një Milan që nuk mundi të llogariste në Zlatan Ibrahimovic, Simon Kjaer, Ante Rebic dhe Hakan Calhanoglu në këtë takim.

Megjithëse e mbajtën topin në zotërim më shumë se kuqezinjtë, vendasit e patën vetëm një goditje brenda kornizës së portës gjatë gjithë takimit.

Falë kësaj fitoreje, Milani i afrohet liderit dhe rivalit, Inter, në vetëm tri pikë, edhe pse zikaltrit ndeshjen e kësaj jave e zhvillojnë të hënën kundër Atalantës dhe mund ta rikthejnë epërsinë në gjashtë pikë sërish.

Verona, ndërkohë, ngel në pozitën e tetë me 38 pikë, gjashtë pikë larg zonës së kualifikimit në garat evropiane.

(Kosova Sot Online)