Xhiro e 25-të në Superligë hapet me dy super ndeshje

  • S.A /
  • 13 March 2021 - 10:26
Xhiro e 25-të në Superligë hapet me dy super ndeshje

Superliga e Kosovës vazhdon këtë të shtune me dy super takime. Prishtina do të jetë mysafirë i Niklit, derisa Llapi do të udhëtojë në Pejë për t’u përballur me Besën.

Prishtina vazhdon rrugëtimin për ta fituar titullin kampion, derisa ndalesën e radhës do ta bëj në Drenas, me ç’rast takohet me Feronikelin.

Skuadra e Klodian Duros nuk është se po kalon në një formë të mirë rezultatesh, por përballjet derbi si ajo ndaj Prishtinës janë gjithmonë motiv shtesë për t’u luajtur.

Me imperativin e vetëm fitoren, dy skuadrat do të përballen në “Rexhep Rexhepi” në sfidën që nis nga ora 13:00.

Në orarin e njëjtë do të zhvillohet edhe dueli tjetër në Brestovik të Pejës. Besa është nikoqire e Llapit që synon të dal nga kjo ‘mini-krizë’ e rezultateve.

Skuadra e Tahir Batatinës e di mjaft mirë se sa i vështirë është ai terren, pasi që ka barazuar në sfidën e parë me rezultat 2-2.

Ndeshjet tjera janë programuar për të dielën, që të gjitha zhvillohen në orën 13:00.

Drenica do të ketë punë me Arbërinë, Gjilani në krye me trajnerin e ri, Ismet Munishi, presin Trepçën ’89, derisa lideri Drita udhëton në Suharekë për t’u përballur në ndeshjen kryesore dhe me rivalin direkt për titull, Ballkanin.