Trajneri i Milanit: Do ta bëjmë ndeshjen e jetës kundër Atalantas

  • S.A /
  • 17 maj 2021 - 09:18
Trajneri i Milanit: Do ta bëjmë ndeshjen e jetës kundër Atalantas

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka thënë se skuadra e tij do ta bëjë ndeshjen e jetës kundër Atalantas, duke këmbëngulur se do të ishte zhgënjim dhe jo dështim, nëse kuqezinjtë nuk ia dalin të kualifikohen në Ligën e Kampionëve. Milani u ndal nga Cagliari me një barazim pa gola të dielën, duke dështuar ta shfrytëzojë mundësinë për ta siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në ditën e parafundit të sezonit në Serie A. Barazimi i Milanit nënkuptoi se dy vende nga Serie A në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm do të përcaktohen në ditën e fundit të kampionatit italian javën e ardhshme.

Milani e mban pozitën e tretë, tani me 76 pikë, aq sa ka Napoli në vendin e katërt, ndërsa Juventusi është i pesti me 75 pikë. Nga tri skuadrat në garë për dy vende në Ligën e Kampionëve, Milani do të ketë punë më të vështirë në ditën e fundit të sezonit, pasi përballet me Atalantën, skuadrën e rrezikshme të Gian Piero Gasperinit e cila e ka siguruar tashmë biletën për garën prestigjioze evropiane. Juventusi përballet me Bolognan në javën e fundit, ndërsa Napoli me Veronën. “Nuk ia vlen të mendojmë se çfarë ka mundur të ndodhte. Duhet të përqendrohemi në ndeshjen e radhës”, tha Pioli për Sky Sport Italia. “Nuk luajtëm në nivelin e ndeshjeve të fundit, sa i përket tempos dhe cilësisë. Kundër Juventusit e bëmë ndeshjen e jetës, e pastaj me Torinon, njëlloj do ta kemi edhe me Atalantan. Provojmë përsëri”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )