Pasiguria e Laportas, Koeman apo Xavi?

  • S.A /
  • 18 May 2021 - 14:07
Pasiguria e Laportas, Koeman apo Xavi?

Humbja e Barcelonës ndaj Celta Vigos, që bëri që katalonasit të humbnin shpresat për ta fituar La Ligën, ka zemëruar shumë presidentin Joan Laporta dhe bordin drejtues të klubit.

Laporta ka dyshim për aftësinë e Koemanit për ta udhëhequr projektin dhe nuk është i sigurt që do të jetë në stol për edicionin e ardhshëm.

Laporta po e konsideron shkarkimin e Koemanit, por është e vështirë të gjendet një zëvendësues i menjëhershëm, e gjithashtu situata komplikohet edhe më shumë për shkak të krizës financiare në klub.

Midis krejt kësaj pasigurie, Xavi Hernandez arriti në Barcelonë të hënën, ndërsa ai është një nga emrat që përmenden për stolin e katalonasve.

Arsyetimi i Xavit për vizitën në Barcelonë është për shkak të pushimeve. Presidenti dhe trajneri, Ronald Koeman do të takohen pas ndeshjes me Eibarin dhe do të mirret një vendim. Holandezi ka ende një vit kontratë.

Laporta nuk është i lumtur me rezultatet e Barcelonës, por është i vetëdijshëm që shkarkimi i Koemanit do të dërgonte klubin në vështirësi edhe më të mëdha, shto këtu edhe pagesën që duhet t’ia bëjnë ish-futbollistit të tyre në rast të shkarkimit.

Koeman po konsiderohet si dështim në klub, ngjashëm me projektet e Quique Setien dhe Ernesto Valverde, por holandezi e ka ADN-në e Barcelonës.

Xavi është në krye të listës së Laportas për ta zëvendësuar Koemanin, edhe pse ka dyshime për aftësitë e tij për ta udhëhequr dhomën e zhveshjes. 

(Kosova Sot Online )