Neymar është rikuperuar plotësisht nga lëndimi
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar është rikuperuar plotësisht nga lëndimi në pulpë dhe është gati të luajë të gjitha 90 minutat në ndeshjen ndaj Skocisë në Kupën e Botës.
Ylli brazilian mungoi në dy ndeshjet e para të Seleçaos kundër Marokut dhe Haitit për shkak të dëmtimit që kishte pësuar te Santos, por tani është rikthyer në stërvitje të plotë dhe pritet të ketë rol të rëndësishëm në sfidën vendimtare të fazës së grupeve.
“Neymar është në dispozicion. Ai ka stërvitur shumë mirë gjatë gjithë javës, është në formë dhe gati për të luajtur. Jemi shumë të lumtur që e kemi sërish me ne, sepse është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme”, deklaroi Ancelotti.
Trajneri italian shtoi se Neymar mund të luajë qoftë një pjesë të ndeshjes apo të gjitha 90 minutat.
“Ai ka punuar shumë për t’u rikthyer. Gjendja e tij është shumë e mirë, ka një qëndrim fantastik dhe është një profesionist serioz. Duam ta rikthejmë në fushë sa më shpejt të jetë e mundur. Përvoja dhe cilësia e tij janë shumë të rëndësishme për ekipin”, tha Ancelotti.
Rikthimi i Neymarit vjen në një moment të rëndësishëm për Brazilin, pasi sulmuesi Raphinha është jashtë për shkak të një dëmtimi në kofshë të pësuar në fitoren 3-0 ndaj Haitit. Në dispozicion për repartin ofensiv mbeten edhe Endrick, Rayan dhe Igor Thiago.
Ancelotti paralajmëroi se Skocia nuk do të jetë një kundërshtar i lehtë dhe veçoi dy nga lojtarët më të rrezikshëm të saj.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Skocia është skuadër e organizuar dhe lufton shumë. Ata kanë lojtarë me përvojë si Scott McTominay dhe John McGinn. Ndeshjet e lehta në Kupën e Botës kanë përfunduar prej kohësh”, theksoi ai.
Brazili mund ta sigurojë vendin e parë në Grupin C me një fitore ndaj Skocisë. Historia është në anën e brazilianëve, pasi skocezët nuk kanë arritur asnjë fitore në katër përballjet e mëparshme ndaj Seleçaos në Kupën e Botës, duke humbur tri prej tyre.
(Kosova Sot Online)
