FIFA ka pezulluar Federatën e Futbollit të Nepalit

  • A.P /
  • 25 June 2026 - 15:30
FIFA ka pezulluar Federatën e Futbollit të Nepalit

FIFA ka pezulluar Federatën e Futbollit të Nepalit nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, për një periudhë të pacaktuar, pas ndërhyrjeve të palëve të treta në punët e brendshme të futbollit në këtë vend.

Nepali, që aktualisht renditet i 117-ti në renditjen botërore të FIFA-s, nuk do të ketë të drejtë të marrë pjesë në asnjë garë ndërkombëtare deri në një vendim të ri. Pezullimi ka hyrë në fuqi më 24 qershor 2026.

Vendimi erdhi pasi FIFA dhe Konfederata Aziatike e Futbollit paralajmëruan më herët Federatën e Futbollit të Nepalit për shkelje të rënda të statutit, të lidhura me ndërhyrjen e një pale të tretë në qeverisjen e federatës.

Në deklaratën zyrtare, FIFA njoftoi se Federata e Futbollit e Nepalit ka humbur të gjitha të drejtat e anëtarësimit deri në një njoftim tjetër. Kjo do të thotë se kombëtaret dhe klubet nga Nepali nuk mund të marrin pjesë në kompeticione ndërkombëtare.

Po ashtu, federata, anëtarët dhe zyrtarët e saj nuk do të përfitojnë nga programet zhvillimore, kurset apo trajnimet e FIFA-s dhe AFC-së gjatë periudhës së pezullimit.

FIFA u ka kërkuar federatave të tjera që të mos kenë asnjë kontakt sportiv me Federatën e Nepalit apo me skuadrat e saj derisa pezullimi të hiqet.

Megjithatë, FIFA ka lënë të hapur mundësinë që pezullimi të hiqet para Kongresit të ardhshëm, nëse Nepali plotëson kushtet e kërkuara.

Nepali nuk është kualifikuar asnjëherë në një turne të madh ndërkombëtar, por në vitin 2016 fitoi Kupën e Solidaritetit të AFC-së. Ndeshja e fundit e kombëtares ishte humbja 1-0 ndaj Laosit në kualifikimet për Kupën e Azisë në muajin mars.

FIFA ka pasur qëndrim të ashpër ndaj ndërhyrjeve të palëve të treta në qeverisjen e futbollit, duke pezulluar më parë edhe federata si Pakistani, Indonezia, Republika e Kongos dhe Nigeria në rrethana të ngjashme.

Aktualisht, Nepali është një nga dy vendet e pezulluara nga futbolli ndërkombëtar, së bashku me Rusinë, e cila vazhdon të jetë e ndaluar nga FIFA dhe UEFA për shkak të pushtimit të Ukrainës. 

(Kosova Sot Online)