Lewandowski e le të hapur mundësinë e largimit nga Bayern Munich

  • S.A /
  • 02 June 2021 - 15:35
Lewandowski e le të hapur mundësinë e largimit nga Bayern Munich

Lewandowski mbetet ende një çështje e pazgjidhur te Bayerni, nëse mund të quhet e tillë. Sulmuesi polak, njeriu i rekordeve në Bundesligë, nuk ka nënshkruar ende zgjatjen e kontratës me bavarezët. Kampionët e Bundesligës nuk janë nxituar, por është më mirë të parandalosh situata të caktuara. 

Lewa, aktualisht është i grumbulluar me përfaqësuesen e tij, me të cilën synon të lërë gjurmë në Kampionatin Europian, ndaj i ka kaluar në plan të dytë bisedimet për të ardhmen. Është e vështirë të imagjinohet Lewandowski në treg, javët e fundit qëndrimi i tij te Bayerni është marrë si i mirëqenë, megjithëse dyshimet mbeten.

Është 32 vjeç dhe ende konsiderohet një nga sulmuesit më të fortë në qarkullim. Ofertat, sigurisht që nuk mungojnë, por varet nëse ai i merr në konsideratë. Në këtë kuptim, deklaratat e tij të fundit duhet t’i kenë shqetësuar sadopak drejtuesit e Bayernit. Kontrata e tij skadon në vitin 2023, kështu që situata, në fund të fundit, është e menaxhueshme:

“Jam njeri mendjehapur. Ndihem mirë te Bayerni, Mynihu është një qytet madhështor dhe luaj për një klub të shkëlqyeshëm. Por, gjithmonë kam qenë kurioz të mësoj një gjuhë të re, një kulturë të re. Nuk e di nëse do të ndodhë kështu”.

Si njeri rekordesh, Lewandowski dëshiron të arrijë në karrierë atë që nuk e ka bërë askush më parë.

“Nuk jam i fiksuar me numrat dhe golat, por kur përballem me sfida të reja, përpiqem të bëj atë që askush nuk ka bërë më parë. Është një ego që më shtyn të eci përpara. Mund të arrij objektiva që dukeshin të pamundur. Të jem i sinqertë, mendova se asnjë lojtar nuk mund t’i afrohej rekordit të Gerd Mullerit.”

Bayerni mund të qëndrojë i qetë edhe një sezon, por duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me sulmuesin polak para se të mbyllet 2021, pse jo më herët.

(Kosova Sot Online )