“Nikli” ndahet edhe me Dabiqajn

  • E.K /
  • 07 June 2021 - 15:38
 “Nikli” ndahet edhe me Dabiqajn

Pas Yll Hoxhës, Feronikeli i ka ndarë rrugët edhe me futbollistin tjetër të deritashëm, Albert Dabiqaj. Skuadra nga Drenasi e ka falënderuar futbollistin për kontributin e dhënë deri tash.

Feronikeli ka nisur të bëjë ndryshime rrënjësore në ekip. Klubi nga Drenasi ka filluar të ndahet me disa prej lojtarëve të rëndësishëm. Pak orë më parë, klubi nga “Rexhep Rexhepi” njoftoi për ndarjen me mbrojtësin e majtë, Yll Hoxha.

Ndërsa, në njoftimin më të ri, klubi Gjelbër e Bardhë zbuloi se i ka ndarë rrugët edhe me mesfushorin Albert Dabiqaj, të cilin e ka falënderuar për kontributin e deritashëm. Futbollistit në fjalë i ka skaduar kontrata në fund të këtij sezoni dhe kështu mbaron edhe bashkëpunimi në mes të palëve.

“Dabiqaj erdhi në klub në afatin kalimtar veror, të vitit 2017, duke veshur fanellën gjelbër e bardhë për katër sezone me radhë. Ai arriti të shpallet kampion me skuadrën e Feronikelit, fitoi Kupën e Kosovës dhe u paraqit në garat e Champions League dhe Europa League me stemën e Feronikelit në fanellë. FC Feronikeli i dëshiron suksese të mëtutjeshme në karrierë mesfushorit të çeliktë”, ka shkruar klubi kosovar.

Ndërkohë, mirënjohës pafund është edhe vetë futbollisti, i cili i ka falënderuar të gjithë ata me të cilët bashkëpunoi dhe ndihet krenar që e veshi fanellën e këtij klubi deri tash.

“Unë i falënderoj nga zemra të gjithë ata që më ndihmuan dhe përkrahën gjatë karrierës sime te Feronikeli, dua ta falënderoj veçanërisht presidentin Ramaj, kryesinë e klubit, trajnerët, bashkëlojtarët dhe stafin që nuk u kursyen asnjëherë për mua. Gjithashtu falënderoj edhe tifozët Tigrat e Zi, me të cilët kemi shumë kujtime të mira. Jam i nderuar që isha pjesë e Feronikelit në këto katër vite të mrekullueshme. Edhe një herë faleminderit të gjithëve”, ka thënë Dabiqaj.

(Kosova Sot Online)