Interi e zyrtarizon Calhanoglun

  • A.P /
  • 22 June 2021 - 19:40
Interi e zyrtarizon Calhanoglun

Hakan Calhanoglu është zyrtarisht futbollist i Interit. Prezantimin zyrtar e ka bërë klubi zikaltër në kanalet e veta të komunikimit, ku njofton se fantazisti turk ka nënshkruar për tre sezone me Interin.

Mesfushori 27-vjeçar ka qenë prej 4 sezonesh në pjesën kuqezi të Milanos, por i përfundoi kontrata me Milanin dhe si futbollist i lirë vendosi t’i bashkohet Interit, ku do të përfitojë një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon.

Futbollistit turk iu ofrua rinovimi me Milanin për një pagë prej 3.5 milionë eurosh, por këmbënguli që të përfitojë 5 milionë euro në sezon dhe këtë shifër ia ofroi menjëherë Interi, duke i dhënë edhe “dhuratën” e parë trajnerit Simone Inzaghi.

Marrëveshja e Cahlanoglu me Interin u arrit ditën e djeshme, ndërsa në mbrëmje fantazisti mbërriti në Milano dhe sot kreu të gjithë testet e nevojshme mjekësore, para se të firmoste kontratën që do ta lidhë me zikaltrit.

Nuk mungoi as një vizitë e Calhanoglu në dhomën e trofeve të klubit zikaltër, ku bëri edhe një foto me fanellën e Interit, ndërsa tani fantazisti turk do të nisë pushimet, duke qenë se ishte i angazhuar në Europian me Turqinë dhe do të rikthehet në Milano vetëm në mesin e muajit korrik.

(Kosova Sot Online)