Hakimi gjithnjë e më pranë Parisit

  • S.A /
  • 24 June 2021 - 13:31
Hakimi gjithnjë e më pranë Parisit

Parisi do të jetë destinacioni i ardhshëm i Achraf Hakimit. Janë të bindura mediat italiane, që raportojnë se marrëveshja është arritur për një shifër totale prej 70 milionë eurosh dhe shumë shpejt pritet të ketë “tym të bardhë”.

Interi ka nevojë për para brenda datës 30 qershor, me qëllim që të rregullojë bilancin financiar dhe shifra që ofron PSG-ja është vërtetë joshëse, ndonëse Marotta dhe Ausilio po bëjnë përpjekjet e fundit që të përfitojnë sa më shumë nga ky operacion.

Ka dalë plotësisht nga gara Chelsea, që u tregua i gatshëm të ofrojë 50 milionë euro plus kartonin e Marcos Alonsos, por zikaltrit preferojnë më shumë paratë kesh të francezëve dhe vetë Hakimi ka arritur tashmë një marrëveshje me PSG-në për një kontratë 5-vjeçare me pagë 10 milionë euro në sezon.

Menjëherë sapo të kompletojë transferimin e Hakimit te PSG-ja, Inter do të trokasë në dyert e Chelsea-t për të kërkuar spanjollin Marcos Alonso, i cili duket se është i përzgjedhuri i drejtuesve dhe trajnerit Inzaghi për të marrë në dorë korsinë e majtë.

Ndërkohë sa i përket krahut të djathtë, zëvendësuesi i Hakimit duket se do të vijë nga Lazio. Bëhet fjalë për Manuel Lazzarin, që nuk bën pjesë në planet e Sarrit, por preferohet shumë nga Simone Inzaghi dhe Marotta po provon të shfrytëzojë miqësinë që ka me Lotitton për të marrë anësorin italian.

Negociatat me Lazion nuk janë asnjëherë të lehta, por duket se Inter është gati të ofrojë një total prej 22 milionë eurosh për kartonin e futbollistit, që është gati të ndjekë trajnerin Inzaghi në Milano, te kampionët në fuqi të Italisë.

(Kosova  Sot Online )