Odegaardi e dëshpëron Arsenalin

  • S.A /
  • 24 June 2021 - 14:04
Odegaardi e dëshpëron Arsenalin

Martin Odegaardi ka konfirmuar se do të rikthehet në Real Madrid këtë verë, duke ia shuar Arsenalit shpresat për blerjen e tij. Mesfushori norvegjez i kaloi pjesën e dytë të sezonit 2020/21 në huazim te Arsenali, pasi hasi në vështirësi për të gjetur hapësirë në ekipin e parë të klubit të vet.

Por me ndryshimin e trajnerit në Real Madrid, pasi Carlo Ancelotti e zëvendësoi Zinedine Zidanin, 22-vjeçari është i gatshëm të kthehet në Spanjë për të luftuar për një vend në Santiago Bernabeu.

Odegaardi tha të enjten se Real Madridi e dëshiron sërish në skuadër dhe se ai është i gatshëm ta jetësojë ëndrrën. “Real Madridi ka qenë i qartë se dëshiron që unë të kthehem. Koha për t’u kthyer atje do të jetë kur të nisin stërvitjet për sezonin e ri”, tha Odegaardi. Ai shtoi: “Natyrisht se gjithmonë ka qenë ëndërr për të luajtur atje”. I pyetur nëse ka biseduar me Ancelottin, ai shtoi: “Jo, jo me të personalisht. Por kam folur shumë me klubin dhe kam mbajtur kontakt të afërt.” 

(Kosova  Sot Online )