Jorginho e meriton Topin e Artë, thotë Zola

  • S.A /
  • 22 July 2021 - 09:46
Jorginho e meriton Topin e Artë, thotë Zola

Ish-sulmuesi italian Gianfranco Zola beson se mesfushori i Chelseat, Jorginho, e meriton ta fitojë Topin e Artë 2021, për shkak të asaj që ai ua ofron ekipeve të veta në fushë.

Gara për Topin e Artë ka filluar tashmë dhe Jorginho është përmendur si ndër favoritet kohëve të fundit, falë triumfit me Chelsean në Ligën e Kampionëve dhe me Italinë në Kampionatin Evropian 2020.

Dhe ish-sulmuesi i Chelseat dhe Italisë Zola mendon se Jorginho e meriton atë para Lionel Messit, i cili kishte një sezon fantastik individual duke e fituar Kupën e Amerikës me Argjentinën.

“Jorginho e meriton Topin e Artë. Ai i sjell baraspeshë dhe ritëm ekipeve të veta. Isha me fat që e kisha atë në Chelsea, isha asistent i Maurizio Sarrit. E di se çfarë ofron ai”, tha Zola.

“Ai e meriton atë jo vetëm për shkak se ka luajtur në një nivel të lartë individualisht, por edhe sepse ekipet për të cilat ka luajtur ai ishin të shkëlqyeshme. Kjo duhet të merret parasysh”, shtoi ai.

Fjalët e tij i bënë jehonë kërkesës së Lorenzo Insignes së Napolit dhe Italisë se Jorginho duhet të jetë në garë për ta fituar Topin e Artë.

“Është e drejtë të flasësh për të.  Shpresoj se ai është në listë për Topin e Artë. Ai e meriton”, tha Insigne. 

(Kosova Sot Online )