Trajneri i Chelseat e lartëson Armando Brojën

  • S.A /
  • 28 July 2021 - 11:53
Trajneri i Chelseat e lartëson Armando Brojën

Armando Broja vijon të forcojë pozitat e tij në klubin e Chelsea-t, pasi menjëherë pas rinovimit deri në verën e 2026-ës, po vë gjithmonë e më shumë në vështirësi trajnerin Tuchel me golat që po shënon në miqësoret para-sezonale. Kështu pas një goli e një asisti në sfidën ndaj Peterborough 10 ditë më parë, sulmuesi 19-vjeçar gjeti sërish rrjetën pasditen e djeshme, në miqësoren që londinezët e fituan me rezultatin 1-2 me përmbysje ndaj Bournemouthit. Sulmuesi shqiptar u aktivizua në fillim të pjesës së dytë, kur rezultati ishte ende i barabartë 0-0, ndërsa në minutën e 66’ ishte Marcondes që kaloi në avantazh skuadrën e Bournemouthit.

Megjithatë reagimi i bluve të Londrës ishte mjaft i shpejtë dhe në të 72-tën Baba Rahman hodhi një kros në zonë, aty ku Broja stopoi mirë dhe me një gjakftohtësi për t’u admiruar, arriti ta dërgojë topin në rrjetë e të rikthejë baraspeshën, ndërsa katër minuta më vonë ishte Ugbo që shënoi golin e fitores. Në përfundim të takimit, trajneri i kampionëve të Europës, Thomas Tuchel u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, që duket në rrugën e duhur për të fituar një vend në skuadër për sezonin e ardhshëm.

“Më pëlqeu shumë reagimi i skuadrës pas golit të pësuar,. Në pjesën e dytë luajtëm me tre mesfushorë dhe dy sulmues si Broja e Ugbo që bënë një punë mjaft të mirë. Të dy shfrytëzuan rastet e vetme që patën dhe mund të them se jam shumë i kënaqur me atë që bënë në fushën e lojës. Fitoret në këto miqësore na ndihmojnë të ndërtojmë një mentalitet të fortë dhe të kërkojmë suksesin gjithmonë”, tha trajneri gjerman pas ndeshjes.

(Kosova Sot online )