Messi: Do të luaj me më të mirët në botë

  • A.P /
  • 11 August 2021 - 15:49
Messi: Do të luaj me më të mirët në botë

Buja e transferimit të Lionel Messit te PSG nuk mund të kalojë vetëm me një ditë, pasi “Messi days” vijojnë ende, me argjentinasin të cilit iu rezervua një pritje e jashtëzakonshme ditën e djeshme në kryeqytetin francez, teksa më pas firmosi edhe kontratën që do ta mbajë për dy sezone në “Parc des Princes”.

Tri ditë më parë ylli argjentinas i dha lamtumirën Barcelonës nëpërmjet një konference zyrtare, ku nuk i shmangu lotët, ndërsa në ditën e tij të dytë në Paris, bëri edhe prezantimin zyrtar ashtu siç e meriton, teksa nuk mund të mungonte as një konferencë për shtyp, ku e pati të vështirë të ndajë se cilat ishin emocionet më të forta, ato të largimit nga katalanët, apo ato të pritjes nga francezët.

Konferenca e Leo Messit:

“Ka qenë një javë shumë emocionuese për të gjithë gjërat që ndodhën. Ndodhi gjithçka shumë shpejt, qoftë largimi nga Barcelona, qoftë vendimi për t’u transferuar në Paris, bashkë me familjen time. Largimi nga Barcelona ka qenë padyshim i vështirë për mua, pasi kam kaluar një jetë të tërë atje, por tani jam i lumtur që jam këtu dhe po shijoj gjithçka bashkë me familjen time. Sigurisht që nuk mund të lë pas krahëve kaq shpejt emocionet e largimit nga Barcelona, si të mos kishte ndodhur asgjë, por tani po shijoj momentin këtu”, deklaroi ylli argjentinas.

Jam shumë i lumtur që në përditshmërinë time do të kem mundësi të punoj e të luaj me një organikë me futbollistë spektakolarë. Kanë ardhur shumë futbollistë të mëdhenj dhe ndërkohë kishte shumë të tillë edhe më parë në ekip, ndaj mezi pres të stërvitem e të luaj me ta. Kam bindjen që do të jetë diçka fantastike për të gjithë ne.

Më rezervuan një pritje të çmendur. Ishte gjithçka e mrekullueshme. Edhe në qytet të gjithë përpiqeshin të më afroheshin e të më takonin. Jam i sigurt që do të kalojmë momente të jashtëzakonshme së bashku. Nuk e di kur do të zbres në fushë, pasi vij nga pushimet dhe kam nevojë për disa ditë stërvitje, që të arrij nivelin e duhur përgatitor. Do të nis stërvitjen menjëherë dhe më pas do të jetë stafi që do të vlerësojë kur do jem gati për të luajtur.

PSG është një klub shumë i madh, që ka investuar duke sjellë futbollistët më të mirë këtu dhe unë jam gati të jap kontributin tim në fushë, për arritjen e objektivave. Ambiciet e mia me të klubit përputhen plotësisht dhe duam suksesin në Ligën e Kampionëve, ndonëse është një kompeticion shumë i vështirë për të fituar. Ndonjëherë nuk mjafton të kesh skuadrën më të mirë në botë, pasi diferencën e bëjnë detajet, por duhet edhe pak fat, megjithatë ne jemi gati të provojmë.

Me trajnerin kam folur menjëherë dhe jemi të dy në të njëjtin drejtim. Bashkë njihemi prej kohësh dhe ndajmë ide të njëjta për futbollin. Njoh disa futbollistë që janë pjesë e skuadrës, mes tyre edhe Neymar, ndaj edhe kjo ishte e rëndësishme për vendimin tim, megjithatë kryesorja ishte fakti që klubi është ambicioz prej vitesh dhe kërkon të fitojë gjithmonë. Kjo ilustrohet edhe nga fakti, që në çdo rol, klubi ka më të mirët e botës.

Te Barcelona e dinin të gjithë që unë jam një fitues dhe dua të luaj gjithmonë për të fituar në nivele të larta. Nuk e di nëse do të luajmë përballë Barcelonës. Rikthimi në Spanjë do të ishte padyshim i bukur, por edhe i vështirë në të njëjtën kohë. Gjatë këtyre viteve të karrierës time, jam rritur shumë dhe sigurisht që kam ndryshuar. Kam fituar shumë eksperiencë dhe tani jam gati të nis një etapë të re të karrierës, këtu te Paris Saint Germain.

(Kosova Sot Online)