Draxler pranë rikthimit në Gjermani

  • G.G /
  • 16 August 2021 - 10:38
Draxler pranë rikthimit në Gjermani

Julian Draxler vijon të mbetet një nga objektivat kryesorë të merkatos së Bayer Leverkusen. “Aspirinat” kërkuan fantazistin gjerman edhe verën e kaluar, por nuk ia dolën ta transferojnë nga Parisi, ndërsa këtë vit kanë nisur sërish negociatat.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur trajneri Peter Bosz kërkonte nga sulmuesit anësorë që të marrin krahun, këtë sezon Leverkusen drejtohet nga Gerardo Seoane, i cili u kërkon sulmuesve anësorë të futen drejt qendrës dhe të provojnë goditjen.

Kjo është edhe loja që preferon më shumë Draxler, i cili mund të bëhet shumë i rrezikshëm nëse niset nga krahu i majtë drejt qendrës, pasi do të kishte mundësi të provonte shpesh me të djathtën e tij potente.

Pas ardhjes së Messit, Paris Saint Germain do të hiqte dorë me kënaqësi nga futbollisti gjerman dhe madje ka fiksuar edhe një çmim prej 20 milionë eurosh për kartonin e tij, shifër që Leverkusen nuk duket gati ta paguajë tani.

Strategjia e “aspirinave” është të presin fundin e gushtit, me qëllim që çmimi të bjerë në një shifër prej 10-12 milionë eurosh, për të kompletuar transferimin, teksa edhe vetë Draxler duket se është gati të pranojë përgjysmimin e pagës prej 8 milionë eurosh që përfiton aktualisht në kryeqytetin francez.

Kjo pasi 28-vjeçari ka humbur vendin në përfaqësuesen gjermane, duke luajtur shumë pak te PSG-ja dhe vetëm një rikthim në Bundesligë do të bënte që të aktivizohej rregullisht e të tërhiqte vëmendjen e trajnerit të “panzerave”, Hansi Flick.

(Kosova Sot Online)