Pochettino: Mbappe është i yni, ai është dhuratë e çmuar

  • S.A /
  • 30 August 2021 - 09:16
Pochettino: Mbappe është i yni, ai është dhuratë e çmuar

Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, e ka lartësuar Kylian Mbappen për paraqitjen mbresëlënëse që sulmuesi francez e bëri në fitoren 2:0 kundër Reims në Ligue 1 të dielën, duke e quajtur atë një dhuratë të çmuar për PSG-në.

Mbappe – për të cilin nuk dihej nëse do të luante pas thashethemeve të vazhdueshme se do t’i bashkohej Real Madridit – i shënoi të dy golat e triumfit për Parisin në Reims.

Sulmuesi francez luajti titullar dhe u duk tejet i lumtur në fushë, pavarësisht lajmeve se ai e kishte kërkuar me ngulm largimin drejt Madridit.

Megjithatë, ende ka pasiguri në të ardhmen e Mbappes, për shkak të ofertave të njëpasnjëshme të Real Madridit dhe faktit se marrëveshja e tij me PSG-në mbaron verën që vjen.

Duke folur pas ndeshjes, Pochettino tha për Amazon Prime: “Ai është lojtari jonë. Por ju e dini si është puna e biznesit, është plot thashetheme. Presidenti jonë dhe drejtori sportiv janë shumë të qartë. Ai është këtu me ne dhe ne jemi të lumtur me të.”

Ai shtoi: “Mbappe është dhuratë e çmuar për ne”.

Kjo ishte fitorja e katërt në katër ndeshje në sezonin e ri për PSG-në, që e bën atë lider të Ligue 1.

(Kosova Sot Online )