Koeman: Largimi i Messit më lëndoi

  • G.G /
  • 08 September 2021 - 14:21
Koeman: Largimi i Messit më lëndoi

Ronald Koeman është lënduar nga largimi i Leo Messit, ai e fton presidentin Laporta të jetë pak më i kujdesshëm dhe i përmbajtur në komentet e tij.

Vetë aspiron të qëndrojë te Barcelona edhe për shumë vite të tjera.

E fillon nga marrëdhëniet me presidentin: “Kam një marrëdhënie të mirë me Laporta. Ne të gjithë duam të njëjtën gjë, që Barça të fitojë. Më pëlqen të kem një president që e kupton futbollin, i cili pëlqen të flasë me lojtarët, që vjen në stërvitje. Më pëlqen ta krahasoj veten me të, por ndoshta do të ishte më mirë që disa biseda të mbeten në sferën private.

Ndonjëherë ndodh që ajo që ndodh këtu të dalë, edhe në shumë detaje, jashtë klubit. Dhe pastaj përfundon në duart e shtypit. Ka pasur komplikime në muajt e fundit, si fundi i sezonit të kaluar dhe javët e fundit. Ne e dimë se po kalojmë një kohë të vështirë në shumë mënyra, por po ecim përpara”.

Ndër momentet më të vështira, trajneri holandez rendit lamtumirën e Leo Messit. Një ngjarje që tronditi themelet e klubit katalanas. Barcelona dukej e pamundur pa argjentinasin: “Unë do të jem i sinqertë, u lëndova nga largimi i Messit, si çdo tifoz katalanas.

Isha absolutisht i vetëdijshëm për të gjitha problemet e klubit me ‘fair-play financiar’, por gjithmonë shpresoja se Leo do ta përfundonte karrierën e tij këtu. Ishte një fund i trishtuar, nga çdo perspektivë që ta shikoni. Pa të do të duhet të kërkojmë zgjidhje në sulm. Messi është një talent që të bën të fitosh ndeshje. Është e qartë se do të vuajmë për golat e tij”.

(Kosova Sot Online)