Derbi londinez në Angli, përballen Arsenal dhe Tottenham

  • A.P /
  • 26 September 2021 - 12:45
Derbi londinez në Angli, përballen Arsenal dhe Tottenham

Premier League dhuron emocione të pafundme çdo fundjavë, teksa 24 orë pas super-përballjes Chelsea-Manchester City, radhën e ka derbi i Londrës, Arsenal-Tottenham.

Ndonëse pa lavdinë e dikurshme, të dy këto ekipe kanë cilësinë dhe elementët e duhur, që të ndërthurura me rivalitetin e fortë, të prodhojnë një 90-minutësh spektakolar në “Emirates Stadium”.

Vendasit e nisën sezonin në mënyrë katastrofike, duke rreshtuar tre humbje në tre ndeshjet e para, por kanë reaguar mirë dhe kanë fituar me rezultat minimal 1-0 dy sfidat e fundit në kampionat, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve.

Nga ana tjetër, Tottenhami e nisi me tre fitore radhazi, të gjitha me rezultat minimal 1-0, ndërsa më pas ka rreshtuar dy humbje të rënda, 3-0 ndaj Crystal Palace dhe Chelsea-t, duke bërë që të mbeten në kuotën e 9 pikëve, larg zonës së kreut.

Ajo që vihet re në të dy skuadrat londineze, është vështirësia për të shkuar te goli, pasi”topçinjtë” kanë shënuar vetëm dy gola në 450 minuta, ndërsa “Spurs”-at kanë dërguar tre herë topin në rrjetë në të njëjtën kohë.

E nëse në finalizim ka shumë vend për përmirësim, e njëjta gjë vlen edhe për mbrojtjet përkatëse, pasi veçanërisht ajo e Arsenalit është shfaqur shpesh e pa orientuar dhe ka pësuar një numër të konsiderueshëm golash.

(Kosova Sot Online)