Zidane thotë se Benzema e meriton Topin e Artë para Messit e Lewandowskit

  • E.K /
  • 17 October 2021 - 19:26
 Zidane thotë se Benzema e meriton Topin e Artë para Messit e Lewandowskit

Zinedine Zidane beson se sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, e meriton ta fitojë Topin e Artë 2021, pavarësisht se Lionel Messi dhe Robert Lewandowski shihet si dy favoritët kryesorë.

Sikur Benzema ta fitonte vërtetë çmimin më të çmueshëm individual, atëherë meritat do t’i takonin pjesërisht edhe Zidanit, i cili kishte ndikim të madh në zhvillimin e sulmuesit francez gjatë kohës sa ishte trajner i Madridit.

Dhe tani ishte-trajneri i Madridit e ka mbështetur publikisht Benzeman për ta fituar Topin e Artë 2021, i cili do të ndahet në fund të këtij viti.

“Karimi është në formë të mirë. Unë do t’ia kisha dhënë atij Topin e Artë. Ai e meriton atë”, tha Zidane për Benzeman.

“Benzema e meriton atë. ai është lojtar i jashtëzakonshëm. Ishte nder i madh të isha trajner i tij.

“Ai di të bëjë gjithçka në fushë. Ai është mbi të gjithë të tjerët dhe shpresoj se ai do të shpërblehet me Topin e Artë”, nënvizoi ai.

Benzema ka qenë lojtari kryesor i Real Madridit në sezonin e fundit, megjithëse nuk fitoi asgjë, dhe i ndihmoi Francës ta fitojë Ligën e Kombeve këtë muaj me golat e tij.

(Kosova Sot Online)