Gjendet ora e vjedhur e legjendës Maradona

  • S.A /
  • 13 December 2021 - 13:44
Gjendet ora e vjedhur e legjendës Maradona

Vite më parë, legjendës Diego Armando Maradona i ishte vjedhur një orë.

Nga ajo kohë, nuk dihej asgjë për fatin e orës së vlefshme të firmës së njohur, Hublot.

E tash, pak ditë pasi u bë një vit nga vdekja e njërit prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit, është gjetur ora e vjedhur.

Në fakt, ora është gjetur në shtetin verilindor të Indisë, Assam.

Policia e këtij shteti e konsideroi këtë si një akt bashkëpunimi ndërkombëtar, ndërsa ora e legjendës argjentinase ishte zhdukur nga rezidenca e tij në Dubai.

Ajo u gjet pas një bastisjeje të policisë në qytetin Sibsagar.

Bhaskar Jyoti Mahanta, drejtor i përgjithshëm i policisë së këtij shteti e postoi një fotografi në rrjetet sociale duke dhënë më shumë detaje rreth orës së gjetur.

Sipas tij, i dyshuari ishte rojë sigurie e kompanisë që merrej me ruajtjen e gjerave të vlefshme të Maradonas.

Pasi e kishte vjedh orën ai kishte kërkuar leje nga punëdhënësit për t’u kthyer në Indi me arsyetimin se kishte për t’u përkujdesur për babanë e sëmurë.

Ora e shtrenjtë e dorës i mban inicialet e Maradonës.

Gjithashtu, edhe fanellën e tij të famshme me numrin që e mbante në shpinë, 10, dhe logon e tij.

(Kosova Sot Online )