Sot fillon një epokë e re për Kosovën

  • S.A /
  • 24 March 2022 - 08:51
Sot fillon një epokë e re për Kosovën

Kombëtarja e Kosovës do ta nisë sot një epokë të re.

“Dardanët” do t’i prijë për herë të parë trajneri francez, Alain Giresse, i cili do ta pasojë të shkarkuarin Bernard Challandes.

Verdhekaltrit do t’i bëjnë gosti Burkina Fasos në miqësoren e parë të muajit mars, e cila do t’i paraprijë asaj speciale ndaj Zvicrës, që do të luhet më 29 të këtij muaji.

Giresse, një emër i njohur në botë për karrierën si futbollist, e ka marrë në dorë ekipin dhe për disa ditë grumbullimi e pati mundësinë të njoftohej me lojtarët.

Ai u nda i kënaqur me aq sa pa, por natyrisht kërkon më shumë, shkruan “Gazeta Express”.

Në konferencë për shtyp, francezi tha se ky grumbullim i shërbeu për t’i njohur me lojtarët, e ndeshjet e marsit, vijoi ai, do ta ndihmojnë që ta ketë një pasqyrë më të mirë për përballjet me peshë, ato të Ligës së Kombeve, që do të nisin në muajin qershor.

Ndërkohë, Giresse siguroi se në këto dy ndeshje do t’ua japë rastin të gjithë futbollistëve që i ka ftuar.

Edhe Amir Rrahmani dje u shpreh entuziast para ndeshjes së sontme, derisa njëjtë si trajneri i tij i ri, tha se këto ndeshje do t’i shërbejnë ekipit për t’u përgatitur për Ligën e Kombeve.

Kosova në përgjithësi është e kompletuar, hiç ndonjë mungesë aty këtu, si ajo e Bersant Celinës, i cili e kërkoi vetë mosftesën për t’u fokusuar tek klubi i tij, Ipswich Town.

Por, çuditërisht nuk u ftuan as “të rebeluarit” Leart Paqarada e Bernard Berisha, të cilët kishin probleme me trajnerin e shkuar, Challandes dhe prisnin që pas largimit të tij do t’ju kthehej qetësia.

Arbër Zeneli mungon pasi u rikthye vetëm pak javë më parë nga lëndimi i rëndë, derisa Emir Sahiti ishte i pafat pasi u lëndua vetëm pak ditë pasi e mori ftesën e parë nga Kosova.

Këtij lajmi ia pa hairin Lumbardh Dellova, lojtar i Ballkanit, i cili mori thirrje nga Giresse.

Nga ana tjetër, Kosova përballë do ta ketë një kundërshtar të respektuar si Burkina Faso, gjysmëfinaliste e edicionit të fundit të Kupës së Kombeve të Afrikës, që u mbajt sivjet.

Por, afrikanët kanë zbarkuar në Kosovë “me një kerr mungesa”, kryesisht për shkak të vizave.

Dhe, miqësorja e sontme në stadiumin “Fadil Vokrri” do t’ju shërbejë edhe vizitorëve për të provuar lojtarë të rinj.

E ajo do t’ju shërbejë edhe tifozëve kosovarë për t’u zbavitur sadopak duke e parë ekipin kombëtar duke luajtur pas katër muajsh, të lodhur nga problemet dhe hallakama që po ndodh në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku po lakmohet me të madhe karrigia e të parit të Federatës.

Ndeshja Kosovë – Burkina Faso do të fillojë në orën 18:00

 

(Kosova Sot Online )