Rriten edhe më shumë tensionet mes FFK-së dhe FC Prishtinës

  • A.P /
  • 01 April 2022 - 17:53
Rriten edhe më shumë tensionet mes FFK-së dhe FC Prishtinës

Problemet e FC Prishtinës me Federatën e Futbollit të Kosovës ka mundësi të përkeqësohen edhe më shumë, edhe pse duket të jenë mjaft të përkeqësuara edhe ashtu lidhur me zgjedhjet për kryetar të FFK-së

Prishtina haptazi ka shpreh kundërshtim me procesin zgjedhor të thirrur nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së me në krye Agim Ademin

“Bardhekaltërtit” janë për kanditaturën e Gramoz Vokrrit, i cili është refuzuar nga FFK-ja për të marrë pjesë në garën për kryetar të FFK-së.

Ndërsa tani është shfaqur edhe edhe një problem i ri mes FFK-së dhe Prishtinës. Skuadra kampione në fuqi nesër duhet ta presë si vendase Llapin, në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës. Por, as edhe 24 orë para lojës, Prishtina nuk ka vendosur se ku do ta zhvillojë këtë lojë si vendase.

Ka kaluar një kohë e gjatë prejse FFK e ka marrë në dorë stadiumin “Fadil Vokrri” shkaku i ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës. Gjatë gjithë kësaj kohe, Prishtina ndeshjet si vendase i ka luajtur në vende tjera ku ka mundur. Sa i përket ndeshjes së nesërme ende s’ka vendosur se ku ta zhvillojë.

FFK-ja e ka pyetur Prishtinën sot se ku do ta zhvillojë ndeshjen e nesërme. Përmes një shkrese të publikuar nga Gazeta Olle, Komisioni i Garave i FFK-së ia ka bërë me dije Prishtinës se edhe për pak javë nuk do të mund të luajë në “Fadil Vokrri”.

Në anën tjetër, FC Prishtina ia ka kthyer emailin FFK-së, duke i thënë se nuk ka mundësi financiare e as teknike që nesër të luajë me Llapin diku tjetër, përveçse në stadiumin “Fadil Vokrri”. Madje, përmes kësaj shkrese, Prishtina i ka thënë FFK-së se po e përdor stadiumin “Fadil Vokrri” si hakmarrje pasi klubi nuk e përkrah Agim Ademin për kryetar.

Kjo situatë nuk dihet se si do të përfundoj. Në rast se Prishtina nuk luan nesër, atëherë ndeshjen mund ta humbasë me rezultat zyrtar 0:3, me ç’rast tensionet në futbollin e Kosovës veç çka do të mund të shtohen tutje.

(Kosova Sot Online)