“Kylian Mbappe do t’i bashkohet Realit 100%”

  • G.G /
  • 03 May 2022 - 14:15
“Kylian Mbappe do t’i bashkohet Realit 100%”

Kylian Mbappe do të transferohet sigurt në Real Madrid gjatë verës që vjen.

Për këtë është i bindur tabloidi gjerman “Bild”.

Sipas këtij mediumi, “sulmuesi francez do t’i bashkohet 100 për qind Realit si lojtar i lirë gjatë verës”.

Të vetmen pikëpyetje që e ka mediumi gjerman është koha kur do të bëhet zyrtar ky transferim.

Mbappe është duke i kaluar muajt e fundit të kontratës me Paris Saint-Germainin.

Ish-futbollisti i Monacos nuk ka pranuar ta vazhdojë kontratën përkundër insistimit dhe joshjes me rrogë marramendëse nga ana e parisienëve.

Mbappe e ka ëndërr fëmijërore transferimin në “Santiago Bernabeu” dhe duket se ajo do t’i realizohet pas pak muajsh.

Madrilenët janë treguar të rezervuar sa i përket objektivit të tyre, por tashmë dihet botërisht se ata e duan kampionin e botës me Francën.

Mbappe pritet ta përbëjë një dyshe të frikshme të sulmit të madrilenëve me bashkëkombësin e tij, favoritin për Top të Artë, Karim Benzema. 

(Kosova Sot Online)