Konjufca: Lufta e Xhevdet Pecit përveç sportive ishte edhe luftë për rezistencë

  • S.A /
  • 12 May 2022 - 11:33
Konjufca: Lufta e Xhevdet Pecit përveç sportive ishte edhe luftë për rezistencë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë homazhe pranë trupit të pajetë të legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë. Ai ka thënë se lufta që bënte Xhevdet Peci nuk ishte vetëm luftë sportive por edhe luftë për rezistencë. I pari i Kuvendit të Kosovës shtoi se Peci po triumfonte dhe po e prezantonte Kosovën në një kohë kur vendi ynë po shtypej dhe po provohej të pengohej në çdo formë të mundshme.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 16:30 në fshatin Zhazhë të Komunës së Mitrovicës. Gjithashtu, sot, nga ora 19:30, do të mbahet mbledhje përkujtimore për ta kujtuar legjendën e boksit në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë. Xhevdet Peci ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 67 vjeçare, ku po qëndronte bashkë me familjen e tij. Ai njihej si “Grushti i hekurt”, ndërsa konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë. Ka qenë kampion i ish-Jugosllavisë dhe kampion ballkanik, duke e çuar shumë lart klubin e boksit Prishtina në vitet e 70-ta dhe të 80-ta.

Sportistët dhe Federatat sportive i shprehën ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, ndërsa atë e kujtoi edhe kryeministri Albin Kurti.

Xhevdet Peci është një legjendë dhe emri i tij nuk do të vdesë kurrë.

(Kosova Sot Online )