Kurtulus për mediumin suedez: Unë e dua Kosovën me gjithë zemër

  • A.P /
  • 30 May 2022 - 21:31
Kurtulus për mediumin suedez: Unë e dua Kosovën me gjithë zemër

Edvin Kurtulus sot mori ftesë nga Kombëtarja A e Suedisë për ndeshjet e qershorit. Ai u ftua si zëvendësues i kapitenit, Victor Lindelof, i cili u largua nga grumbullimi shkaku i lëndimit.

Ish-kapiteni i Kosovës U21 ka dhënë një intervistë për “SVT Sport”, ku tregoi edhe arsyen pse zgjodhi Suedinë para Kosovës

“Unë kam luajtur për Kombëtaren U21 të Kosovës. Nuk e kisha menduar shumë, por kur ishte koha për të marrë një vendim (për Kombëtaren A) duhej të mendoja me kujdes. Unë e dua Kosovën me gjithë zemër, rrënjët e mia janë nga atje, por më pas zemra ime dhe ndjenja e mija të brendshme thanë se është Suedia për të cilën dua të luaj. Kur Janne Andersson [përzgjedhësi i Suedisë] dëgjoi për të, ajo ndjenjë u bë edhe më e fortë”, tha 22-vjeçari.

“Sigurisht që ka qenë e vështirë sepse kam një lidhje të fortë edhe me Kosovën. Por, kur më në fund mendova se çfarë dua, u bë e qartë se është Suedia për të cilën dua të luaj”, shtoi ai.

Edvin Kurtulus sonte do t’i bashkohet grumbullimit te Kombëtarja A e Suedisë, pas miratimit të kërkesës së Federatës suedeze nga FIFA.

“Po shkon shpejt, por unë ende përpiqem të jem i përulur dhe me këmbë në tokë dhe të marr gjithçka si një gjë pozitive pa u stresuar. Unë thjesht dua të shijoj çdo moment. Për momentin jam thjesht mirënjohës. Unë thjesht pres me padurim gjithçka që po vjen tani”, tha ish-reprezentuesi i Kosovës U21.

“Kombëtaren e kam parë që i vogël. Të jesh në gjendje të përfaqësosh ekipin kombëtar është një nder i madh dhe e marr detyrën me shumë mirënjohje. Unë vetëm dëshiroj të shkoj atje dhe të takoj të gjithë”, shtoi futbollisti i Hammarbyt.

Kujtojmë se Edvin Kurtulus ishte i ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës A, Alain Giresse, për ndeshjet e qershorit.

Por, në fund Kurtulus e refuzoi këtë ftesë dhe tani iu bashkuar suedezëve. 


(Kosova Sot Online)