Muriqi i rivalizon Lewandowskin e Benzeman

  • S.A /
  • 29 August 2022 - 12:59
Muriqi i rivalizon Lewandowskin e Benzeman

Vedat Muriqi e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri në La Liga. Sulmuesi kosovar gjatë fundjavës që shkoi e gjeti golin e dytë sezonal nga tri ndeshje të zhvilluara. 

28 vjeçari realizoi gol të bukur me kokë ndaj Rayo Vallecanos në fitoren e Mallorcas me rezultat 2:0 në udhëtim. Paraprakisht, prizrenasi kishte realizuar po ashtu me kokë ndaj Real Betisit një javë më parë.

“Bashkimi dhe shpirti i ekipit. Shkojmë tutje”, ka shkruar ish-futbollisti i Lazios në rrjetet sociale.

E me këtë rast, Muriqi po i rivalizon yjet e La Ligas për çmimin “Pichichi”, të paktën tash për tash.

Ai gjendet vetëm një gol prapa Karim Benzemas dhe dy gola pas liderit, Robert Lewandowski, i cili e ndan vendin e parë me Borja Iglesiasin e Betisit me nga 4 gola.

Muriqi synon të vazhdojë me ritëm të njëjtë dhe të shënojë sa më shumë gola.

Synim i tij është që ta shpëtojë edhe këtë sezon Mallorcan pa rënë nga liga, shkruan “Gazeta Express”.

Ai e pati një gjysmë sezoni fantastik me ekipin ishullor duke i realizuar 5 gola dhe duke i bërë 3 asistime. 

(Kosova Sot Online )