Gjilani u rikthehet fitoreve, barazojnë Ballkani e Llapi

  • A.P /
  • 16 October 2022 - 15:25
Gjilani u rikthehet fitoreve, barazojnë Ballkani e Llapi

Gjilani është rikthyer te fitoret pas pesë ndeshjeve në Superligën e Kosovës.

Kuqebardhët kanë triumfuar në udhëtim te Malisheva me rezultat minimal 1-0.

Solomon ishte realizator i golit të vetëm dhe të fitores për Gjilanin, në minutën e 52-të.

Me barazim 1:1 u mbyll ndeshja mes Drenicës dhe Ballkanit

Kampioni në fuqi madje ishte në disavantazh në minutën e 54-të kur realizoi Osman Mziu.

Por, Armend Thaqi barazoi shifrat dhe ia nxori një pikë mysafirëve në minutën e 81-të.

Shumë gola pati edhe në Mitrovicë, atje ku Trepça’89 dhe Llapi u ndanë baraz 3:3.

Golin e vetëm në pjesën e parë e shënoi Ardian Muja në minutën e 23-të për t’i kaluar vendasit në epërsi.

Llapi barazoi në minutën e 49-të përmes Kushtrim Shabanit.

Mitrovicasit arritën edhe dy herë të rikthenin epërsinë, por në të dy rastet Llapi ia mohoi fitoren.

Në minutën e 53-të, Bleon Sekiraqa shënoi për 2:1, kurse Drilon Fazliu barazoi në minutën e 71-të.

Një minutë më vonë, Trepça’89 riktheu epërsinë, kur realizoi Armend Gashi.

Por, llapjanët patën fuqinë që për herë të tretë të barazonin rezultatin në minutën e 90-të kur shënoi Festim Alidema nga pika e 11-metërshit.

(Kosova Sot Online)