FBK-ja e merr vendimin për ndeshjen e shumëpërfolur, Vëllaznimi – Trepça

  • S.A /
  • 26 October 2022 - 12:34
FBK-ja e merr vendimin për ndeshjen e shumëpërfolur, Vëllaznimi – Trepça

Federata e Basketbollit të Kosovës më në fund është bërë e gjallë sa i përket ndeshjes së shumëpërfolur, Vëllaznimi – Trepça. Komisioni i Garave pranë FBK-së ka marrë vendime sot për krejt ndeshjet e xhiros së shtatë të Superligës, e me theks të veçantë duelin e zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Në bazë të raporteve të vëzhguesit dhe materialeve të mbledhura është konsideruar se organizatori i lojës ka lejuar më tepër VIP ulëse sesa është e lejuar me propozicione të garave.

Tek sjellja e shikuesve, Komisioni i Garave e ka përmendur hedhjen e një shisheje plastmase dhe fishkëllimin e himnit të Kosovës para se të fillonte loja, ndërsa ka shtuar se shikuesit vendës e kanë ndezur një leckë, e cila ka krijuar tym në palestër, pa e përmendur me saktësi djegien e flamurit serb.

Për krejt këto lëshime, klubi gjakovar është gjobitur me 400 euro.

Një tifoz është arrestuar dje në Gjakovë pas materialit që e siguroi policia përmes rrjeteve sociale, ku shiheshin tifozët në palestër duke e djegur flamurin serb.

Gjithashtu, ata e shpalosën një parullë mbështetëse për Mitrovicën, e vërshëllyen dhe e kontestuan himnin shtetëror të Kosovës dhe ndërkohë “e mbuluan atë” me himnin kombëtar shqiptar. 

(Kosova Sot Online )