Sevilla e Villarreali në kërkim të Muriqit

  • S.A /
  • 14 November 2022 - 13:39
Sevilla e Villarreali në kërkim të Muriqit

Ylli kosovar,  Vedat Muriqi, me suksesin në fyshën e gjelbërt është,  bërë sensacioni i ri i futbollit evropian. Kosovari po shkëlqen dita dites, nga ndeshja në ndeshje,  në fanellën e Mallorcës në këtë sezon. Nga 12 ndeshje të zhvilluara në La Liga, duke e pasur parasysh se në dy të tjera mungoi shkaku i suspendimit, 28 vjeçari ka statistika impresionuese: i ka realizuar 8 gola dhe e ka bërë 1 asistim. Ai i kishte shënuar edhe 5 gola dhe i kishte bërë 3 asistime në pjesën e parë të vitit derisa ishte i huazuar në klubin ishullor nga Lazio, transmeton "Kosova Sot Online ".

Përfaqësuesi kosovar ka shënuar gola në pesë ndeshje radhazi, duke e ndihmuar Mallorcan të ngritet në pozitën e 10-të në tabelë. E kjo ka bërë që klubet spanjolle të shprehin interesim për të, mbi të gjitha Sevilla e Villarreali. Por, mediat e huaja raportojnë se harta është zgjeruar tashmë, pasi “Piratin” po e pëlqejnë edhe në Premierligë. Gjithnjë sipas mediave angleze, interesim për ish-futbollistin e Rizesporit, Fenerbahçes dhe Lazios ka shprehur Brighton and Hove Albion. Klubi anglez nuk ka shumë para në dispozicion, por e sheh me urgjencë transferimin e një qendërsulmuesi me karakteristika të Muriqit. Prizrenasi ka kontratë me Mallorcan deri në vitin 2027, ndërsa klubi spanjoll thuhet se ia ka vendosur klauzolën e shkëputjes së kontratës prej 30 deri në 40 milionë euro. Edhe pse Muriqi ka thënë se do t’i pëlqente ta mbyll karrierën në Mallorca, futbollit nuk i dihet kurrë. Natyrisht, ëndërr e secilit futbollist është të luajë në Premierligë, e cila konsiderohet si liga më e fortë në botë.

(Kosova Sot Online )