Fushë Kosova e fiton me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Ulpianës

  • A.P /
  • 04 April 2023 - 17:00
Fushë Kosova e fiton me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Ulpianës

Komisioni i Garave (KG) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka miratuar si të bazuar ankesën e KF Fushë Kosovës.

Ankesa ishte lidhur me parregullsinë e paraqitjes së lojtarit në këtë ndeshje nga ana e klubit të Ulpianës.

Ulpiana e kishte fituar derbin ndaj Fushë Kosovës me rezultatin 0:3, në kuadër të javës së 20-të në Grupin B të Ligës së Parë.

Por, te skuadra nga Lipjani u aktivizua Ardian Musliu, një futbollist që nuk kishte të drejtë loje shkaku i katër kartonëve të verdhë.

Kësisoj, Fushë Kosova tani e ka fituar ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0.

Njoftimi i plotë:

“Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë të FFK-së, në përbërje: Abdyl Bellopoja – kryetar, Isak Ejupi dhe Agim Kastrarti-anëtarë, në mbledhjen e vetë të mbajtur me datë: 04.04.2023, duke vendosur lidhur me regjistrimin e ndeshjeve të javës së 20-të të Ligës së Parë të Republikës së Kosovës – Grupi (B), si dhe të ankesës së ushtruar nga: Klubi i Futbollit “Fushë Kosova“ – nga Fushë Kosova, lidhur me parregullsinë e paraqitjes së lojtarit në këtë ndeshje nga ana e Klubit të Futbollit “Ulpiana“ nga Lipjani, Komisioni i Garave si Organ i autorizuar dhe kompetent, konform nenit 71 të Rregullores së Garave, me datë: 04.04.2023 mori këtë :

V E N D I M

Miratohet si e bazuar – ankesa e KF “Fushë Kosova“ dhe ndeshja e javës së 20-të e Ligës së Parë– Grupi (B) ndërmjet KF “Fushë Kosova” dhe KF “Ulpiana” e përfunduar me rezultat 0:3 në fushë për KF “Ulpiana“, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Fushë Kosova”.

Arsyetim

Komisioni i Garave në seancë e vet të mbajtur me datë 04.04.2023 ,me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“, e vlefshme për javën e 20-të të Ligës së Parë të Kosovës, Grupi (B), konstatoi se KF “Fushë-Kosova” ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes në këtë ndeshje të lojtarit të KF “Ulpiana“, Ardian Musliu –me nr . licence-2 dhe me ID-nr. 00174M97, për shkak se lojtari është aktivizuar pa të drejtë në lojë, pasi që paraprakisht në javën e 19 është ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë dhe ka pasur detyrim që javën e 20 të mos aktivizohet në lojë (të pushojë).

Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se: Për Komisionin e Garave, sipas nenit 71, paragrafi 1 të Rregullores së Garave janë përmbush të gjitha kushtet për administrim dhe vendim marrje lidhur me ankesën. Komisioni i Garave pas shikimit të protokolleve zyrtare të ndeshjeve ka vërtetuar se lojtari i lart theksuar ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë, në javën e 12,14,17,dhe 19 dhe pa të drejtë është aktivizuar në javën e 20-të, kështu që ka bërë shkelje të nenit 56. Paragrafi 1 të Propozicionit të Garave – Lojtari i ndëshkuar me katër (4) kartonë të verdhë, pushon automatikisht xhiron e radhës, prandaj ankesa e KF “Fushë Kosova” miratohet si e bazuar dhe ndeshja e javës së 20-të KF “Fushë Kosova” – KF “Ulpiana“ regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Fushë Kosova“.

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv.

Këshillë juridike: Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur mund të paraqesë ankesë Komisionit të Apelit të FFK-së shkalla e dytë, në afat prej 3 ditësh nga publikimi i këtij vendimi në faqen zyrtare të FFK-së apo datës të dërgimit në e-mailin zyrtar të klubit”.

(Kosova Sot Online)