Rivalët e moçëm Prishtina – Trepça, në kërkim të finales së madhe

  • S.A /
  • 13 April 2023 - 10:11
Rivalët e moçëm Prishtina – Trepça,  në kërkim të finales së madhe

Sigal Prishtina dhe Trepça kanë qenë dy prej skuadrave më të mira në basketbollin e pasluftës, transmeton "Kosova Sot Online".

Dhe, pikërisht dy rivalët e moçëm do të përballen mes vete në gjysmëfinale të “play-offit” të Superligës së basketbollit. Bardhekaltrit e mbyllën sezonin e rregullt si liderë dhe do ta kenë përparësinë e terrenit vendës.

Pra do ta luajnë në shtëpi lojën e pestë eventuale, pasi siç dihet, në gjysmëfinale dhe në finale triumfon ekipi që i fiton tri lojë. Janë pikërisht këto dy skuadra që kanë fituar trofe në këtë sezon: prishtinasit triumfuan në Superkupë, ndërsa mitrovicasit në Kupë, duke e mundur në finale pikërisht njëra-tjetrën. Në garat e rregullta të Superligë, bardhekaltrit përfunduan në pozitën e parë me 22 fitore e gjashtë humbje, kurse ‘Xehetarët’ në vendin e katërt me 17 fitore e 11 humbje. Në pesë duelet e fundit, kryeqytetasit prijnë me katër fitore karshi një fitore të mitrovicasve. Prishtinasit e kanë fituar titullin e kampionit për herë të parë në vitin 2019, ndërsa Trepça në vitin e largët 2012. Ndeshja mes Prishtinës dhe Trepçës do të luhet sonte në kryeqytet duke filluar nga ora 20:30

(Kosova Sot Online )