Distria Krasniqi mbetet pa medalje në Botërorin e Dohas

  • A.P /
  • 08 May 2023 - 17:49
Distria Krasniqi mbetet pa medalje në Botërorin e Dohas

Distria Krasniqi e ka lëshuar nga dora medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos, Doha 2023.

Krasniqi pësoi nga xhudistja italiane, Odette Giufrida, në kategorinë deri në 52 kg.

Meçi shkoi në golden score i cili zgjati mbi gjashtë minuta dhe një lëshim nga Distria, bëri që ajo ta humb duelin.

Po ashtu, kampionia jonë olimpike u ndal edhe në gjysmëfinale, nga njëra prej xhudisteve më të mira në histori, japonezja Uta Abe.

Krasniqi ishte rivale e barabartë me Aben, por japonezja përfitoi nga një moment magjie për të kaluar në finale. Kjo është hera e tretë që e mposht Distrinë.

Paraprakisht, “Disi” e kishte kaluar xhiron e parë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e mundi gjermanen Ballhaus.

E në atë të tretë ishte më e mirë se belgja Amber para se të triumfonte edhe në çerekfinale.
Sot ka garuar edhe xhudistja tjetër nga Kosova, Erza Muminoviq, e cila fatkeqësisht është eliminuar qysh në rrethin e parë të garave.

Edhe Muminoviq ishte në garë për kategorinë deri në 52 kilogramë. Në rrethin e parë pati punë me xhudistet nga Azerbajxhani, Aydan Valiyeva, ku edhe përfundoi aventura e saj për këtë vit.
Përveç Distrisë dhe Erzën, Kosova në botëror paraqitet edhe me pesë garues të tjerë.

Të martën garojnë Nora Gjakova e Flaka Loxha në kategorinë deri në 57 kg, si dhe Akil Gjakova, në kategorinë deri në 73 kg.

Të mërkurën garon Laura Fazliu në kategorinë deri në 57 kg, derisa mbyllet të premten me Loriana Kukën, në kategorinë deri në 78 kg. 

(Kosova Sot Online)