Drita e Ballkani me përballje të vështira, vëmendja edhe te Ferizaj-Trepça’89

  • A.P /
  • 12 May 2023 - 17:55
Drita e Ballkani me përballje të vështira, vëmendja edhe te Ferizaj-Trepça’89

Kanë mbetur edhe tri xhiro, tri finale për skuadrat të cilat po luftojnë për titullin kampion, ato për dalje në Evropë, si dhe për mbijetesë.

E këtë vikend, ja pret java e 34-të e Superligës në futboll. Derbi i javës zhvillohet mes Gjilanit e Dritës, që po luftojnë për synime të ndryshme.

Të kaltrit nga Gjilani janë në luftë për titullin kampion, derisa të kuqtë e Gjilanit për pozitën e tretë që të siguron daljen në Evropë.

Me një fitore eventuale, Drita do të shkonte sigurt për titull, kurse Gjilani do ta siguronte pozitën e tretë.

Në tri duelet e këtij edicioni, dy i kanë takuar Dritës e një është mbyllur pa fitues. Edhe kjo ndeshje si ato të kaluarat, fatkeqësisht do të luhet pa shikues.

Ekipi tjetër që po lufton për titull është Ballkani, që në shtëpi e pret Llapin, që tashmë i ka humbur gjasat për vendin e tretë, por me shpresë që llogaritë e tyre të dalin nga Kupa.

Suharekasit kanë pikë të barabarta me Dritën dhe kampionët duket t’i fitojnë të tri ndeshjet e fundit dhe të shpresojnë për një gabim të gjilanasve.

Si Ballkani e si Drita do të jenë kundërshtar të Gjilanit deri në fund, derisa Dritën e presin edhe Malisheva e Drenica, kurse Ballkanin Ferizaj dhe Llapi kundërshtari i vikendit.

Duke parë kundërshtarët dhe pozicionin, Drita shihet favorite në letër, por futbollit nuk i dihet kurrë, e kjo thënie do na përcjellë deri në xhiron e fundit.

Po ashtu, vëmendja do të jetë edhe në përballjen mes Ferizajt e Trepçës’89. Në rast të fitores, mitrovicasit me një këmbë do të ishin larg rënies, derisa ferizajasit do ia vështirësonin punët vetes.

Ferizaj është i parafundit me dy pikë më pak se Trepça’89 që është e teta.

Tre pikë të domosdoshme janë edhe për Dukagjinin e Prishtinën, që po luftojnë për pozitën e katërt.

Klinasit cilësohen favorit ndaj Drenicës që tashmë ka rënë nga liga, derisa kryeqytetasit i shkojnë Malishevës që është e shtata.

Momentalisht, pozita e katërt është e rezervuar për Prishtinën, derisa e pesta për Dukagjinin dhe të dyja kanë nga 44 pikë.


(Kosova Sot Online)