Milani sonte përballet me Juventusin

  • A.P /
  • 28 May 2023 - 13:01
Milani sonte përballet me Juventusin

Juventusi dhe Milani do të zhvillojnë sonte derbin e javës së 37-të dhe të parafundit në Serie A.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në “Allianz Stadium”, me fillim prej orës 20:45.

Dhe, pikërisht sonte Milani mund të sigurojë edhe matematikisht kualifikimin për në Ligën e Kampionëve edhe për sezonin e ardhshëm.

Me humbjen e Romës dhe Atalantas të shtunën, kjo do të thotë që “Rossonerëve” duhet vetëm një pikë kundër Juventusit për të siguruar top-katërshen, sigurisht përveç fitores.

Kjo për shkak se Milani do të kishte në favor të vetin rezultatet nga ndeshjet direkte me Juventusin. Në Serie A nëse dy skuadrat kanë pikët e njëjta, atëherë shikohen ndeshjet direkte mes tyre.

Milani e ka një fitore 2:0 ndaj “Bianconerëve” nga ndeshja e parë mes tyre e zhvilluar në tetor, kështu që një barazim do t’i jepte një rekord pozitiv nga ndeshjet “kokë me kokë”.

“Kuqezinjtë” gjithashtu do të rrisnin diferencën në katër pikë me Atalantan (5) dhe Romën (6) – teksa pastaj do të zhvillohet vetëm edhe një xhiro në elitën e futbollit italian, shkruan Gazeta Express.

Nëse Milani nuk ia del të merr pikët e plota sonte ose të paktën një, sërish do të mbetej në pozitë të mirë për të siguruar pozitën e katërt në tabelë.

Për shkak se për bazë merren ndeshjet direkte, Milani edhe mund të humbasë sonte ndaj Juventusit me një gol diferencë dhe të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, por nëse pastaj në xhiron e fundit marrin së paku një pikë ndaj Hellas Veronas.

Një tjetër alternativë për kampionët e sezonit të kaluar do të ishte humbja ndaj Juventusit dhe Veronas, por do të mund të kalonin tutje nëse “bardhezinjtë” nuk arrijnë të mposhtin Udinesen në ndeshjen e fundit të sezonit. 


(Kosova Sot Online)