Barcelona interesohet për Pavardin

  • A.P /
  • 30 May 2023 - 17:43
Barcelona interesohet për Pavardin

Benjamin Pavard raportohet se mund të largohet nga Bayern Munichi gjatë afatit kalimtar të verës.

Kontrata e francezit skadon në verën e vitit të ardhshëm, teksa nuk ka asnjë shenjë pozitive për rinovim.

Kësisoj, e ardhmja e Pavardit te kampionët e Gjermanisë është gjithnjë e më e pasigurt.

Sipas “Sky Sport Germany”, 27-vjeçari nuk e ka ndërmend të nënshkruajë një kontratë të re me Bayernin dhe dëshiron që të largohet.

Agjenti i tij, Joseph Mohan, së fundmi u takua me drejtorin sportiv të “Bavarezëve”, Hasan Salihamidzic, përpara se ai të shkarkohej nga posti i tij, për të diskutuar rreth largimit.

Tani, bisedimet thuhet se do të hapen me drejtuesit e ri, por dëshira e Pavardit nuk ka ndryshuar.

Benjamin Pavard, i cili fitoi titullin e tij të katërt radhazi të kampionit në Bundesligë fundjavën e kaluar, dëshiron të transferohet te një ekip ku do ta luajë atë në pozicionin e tij të preferuar të qendërmbrojtësit, siç ka ndodhur këtë pranverë nën drejtimin e Thomas Tuchel.

Disa klube raportohet se janë të interesuara për shërbimet e reprezentuesit të Francës, përfshirë Barcelonën. 


(Kosova Sot Online)