Shqipëria e kërkon sonte fitoren e dytë në eliminatore

  • S.A /
  • 20 June 2023 - 10:09
Shqipëria e kërkon sonte fitoren e dytë në eliminatore

Kombëtarja shqiptare do ta kërkojë sonte fitoren e dytë në fazën eliminatore të Euro 2024, transmeton "Kosova Sot Online".

Kuqezinjtë e kanë nisur mirë këtë kampanjë kualifikuese duke bërë paraqitje të mirë kundër Polonisë, përkundër humbjes, ndërsa ditë më parë e mundi Moldavinë.

E sonte trupa e trajnerit Sylvinho do t’i vizitojë Ishujt Faro.

Shqipëria shihet si favorite në këtë ndeshje dhe nëse vazhdon të luajë si në dy ndeshjet e para të Grupit E, atëherë mund ta regjistrojë fitoren sonte dhe me këtë rast t’i afrohet kreut të tabelës.

Trajneri Sylvinho e ka vlerësuar kundërshtarin, ndërsa theksoi se Kuqezinjtë do ta japin maksimumin sonte për ta arritur objektivin.

“E kemi thënë prej disa ditësh që nuk ka ndeshje të lehta dhe ne po përgatitemi sa më mirë. Sa i përket situatës, nuk ka eufori. E kemi theksuar dhe ritheksuar që kemi 6 finale përpara. Pres që lojtarët të vrapojnë me 100km/h që ne të arrijmë objektivin, pasi kjo është mënyra e vetme”, deklaroi trajneri brazilian në konferencë për shtyp.

“Ndeshja me Ishujt Faroe është diçka krejt ndryshe nga ajo me Moldavinë. Është një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj që euforia nuk ka vend në skuadër sepse ndeshja me Moldavinë ka mbaruar për ne. Morëm 3 pikët, një ndeshje shumë e vështirë, por tashmë e kemi mbyllur atë kapitull. Kemi përpara gjashtë ndeshje të vështira, 6 finale. Ndaj Ishujve Faroe kemi një ndeshje të fortë. Luajmë ndaj një rivali që mund të përshtatet gjatë gjithë kohës në fushë me skema të ndryshme. Është një lojë tepër fizike, lojtarët e Ishujve Faroe janë shumë të rrezikshëm sidomos në lojën në ajër dhe në goditje standarde”, vazhdoi Sylvinho.

Ndeshja mes Ishujve Faro dhe Shqipërisë do të nisë në orën 20:45. 

(Kosova Sot Online )