Kosova do të përballet me Zvicrën

  • A.P /
  • 17 July 2023 - 17:24
Kosova do të përballet me Zvicrën

Kosova do të përballet me Zvicrën në njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit në basketboll.

Dardanët përballen me Nati-n në kuadër të Rrethit të Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025.

Në konferencën për media të organizuara nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) është folur për rëndësinë e kësaj përballje dhe përkrahjen nga tifozët, si dhe organizimin e kësaj ngjarje.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Të gjitha përgatitjet rreth kësaj ndeshje janë bërë me kohë, ndërsa biletat do të dalin në shitje nga dita e sotme deri të mërkurën. Një ditë do të shiten në Prishtinë, ndërsa për tre ditë në Prizren. Çmimi është 3 Euro. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, andaj kërkojmë përkrahjen nga publiku. Gjithashtu këtë ndeshje e madhështon më shumë me prezencën e tij Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak. Në fund, por jo nga rëndësia kërkojmë përkrahje edhe për djemtë e Kosovës U16, ku po ashtu më 19 korrik fillon Kampionati Evropian, Divizioni C, ndërsa do të vazhdojë deri më 27 korrik në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë”, është shprehur Dushku në konferencën për media.

Lidhur me përgatitjet e Përfaqësueses A, ka folur Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci. “Përgatitjet mund të them se kanë shkuar shumë mirë. Kemi filluar nga 1 korriku dhe më 9 korrik jemi zhvendosur në Prizren, aty ku do të zhvillohet përballja me Zvicrën. Të shtunën kemi zhvilluar një miqësore me Shqipërinë për tu përgatitur sa më mirë dhe shpresojmë në rezultate pozitive”, deklaroi Rraci.

Përzgjedhësi i Kosovës, Rami Hadar, është shprehur optimist para sfidës ndaj Zvicrës. “Mund të them se jam i kënaqur me angazhimin e basketbollistëve në stërvitje dhe kushteve të ofruar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Kemi analizuar sa kemi mundur Zvicrën, ku njohim lojtarët dhe trajnerin. Do të japim më të mirën për rezultat pozitiv”, nënvizoi Hadar.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha ka kërkuar përkrahjen nga Dardanët. “Nuk ka qenë lehtë, pasi ka qenë 2 muaj pushim, por besoj se jemi gati dhe do të japim maksimumin. Të mërkurën është ndeshja e parë dhe tepër me rëndësi me ne. Përkrahja nga tifozët është shumë e rëndësishme për ne. Kushtet kanë qenë të mira nga ana e FBK-së dhe me punën e trajnerit që ka bo, jemi gati. Besoj që palestra do të jetë e mbushur dhe do të kemi përkrahjen e tyre. Ne do të japim 100 % nga vetja jonë. Mendoj se jemi më të fortë se herët e kaluara, pasi Lisi (Shoshi) dhe Dardani (Kapiti) janë rikthyer në kombëtare. E rëndësishme për ne është të luajmë lojën tonë”, deklaroi Berisha.

Kosova për herë të parë luan në Prizren, ku Dardanët fillimisht ndeshen me Zvicrën, më 19 korrik, kurse më pas janë mysafirë të Danimarkës, më 26 korrik dhe 29 korrik ndaj Zvicrës. Ndeshja e fundit do të jetë më 5 gusht ndaj Danimarkës. Vetëm vendi i parë kualifikohet tutje.

(Kosova Sot Online)