10 milionë euro për Milot Rashicën

  • S.A /
  • 18 July 2023 - 15:10
10 milionë euro për Milot Rashicën

Norwich City është duke u munduar ta bëjë sa më shpejt një zgjidhje për Milot Rashicën, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ylli kosovar nuk dëshiron të luajë në Championship (niveli i dytë i futbollit anglez) dhe po kërkon nga “Canaries” që ta shesin atë. 27 vjeçari e kaloi një sezon të shkëlqyeshëm me Galatasarayn në Turqi dhe do të ishte i lumtur nëse do ta vazhdonte eksperiencën në Stamboll. Sipas gazetarit sportiv turk, Nevzat Dindar, klubi anglez i kërkon 10 milionë euro për kartonin e futbollistit vushtrrias.

Norwichi e kishte blerë ish-futbollistin e Vitesses nga Werder Bremeni për 11 milionë euro, prandaj dëshiron ta shesë atë për një shumë të përafërt me aq sa e bleu.

Përfaqësuesi kosovar i realizoi 4 gola dhe i bëri 6 asistime në 26 paraqitje sa i pati në Superligën turke në edicionin 2022/23.

Kjo nënkupton se ai pati kontribut në gol çdo 90 minuta, respektivisht me një mesatare prej 0,53, statistika e tij e dytë më e mirë në karrierë.

Ndërkohë, Galatasaray është i gatshëm t’i paguajë 7 milionë euro për lojtarin ofanziv.

Sulmuesin anësor e pëlqen edhe gjiganti tjetër nga Stambolli, Fenerbahçe. 

(Kosova Sot Online )