Ja kërkesa e PSG-së ndaj Realit për Mbappen

  • A.P /
  • 28 July 2023 - 15:39
Ja kërkesa e PSG-së ndaj Realit për Mbappen

“Telenovela” Kylian Mbappe po shkon drejt fundit.

Ylli francez i ka prishur përfundimisht punët me Paris Saint-Germainin, i cili është i gatshëm ta shesë futbollistin problematik.

Dhe, mediumi spanjoll “Marca” e ka zbuluar shumën e parave që po i kërkon kampioni francez për ish-futbollistin e Monacos, përcjell “Gazeta Express”.

Sipas mediumit spanjoll, klubi nga “Parku i Princave” i kërkon 250 milionë euro për kartonin e 24 vjeçarit.

Mbetet të shihet nëse presidenti i Realit, Florentino Perez do të jetë i gatshëm ta paguajë këtë shifër, e cila do ta thyente rekordin botëror, të cilin e mban braziliani Neymar, që ishte transferuar për 222 milionë euro nga Barcelona pikërisht në PSG.

Parisienët së fundmi e morën një ofertë prej 300 milionë eurosh nga Arabia Saudite për Mbappen, por lojtari ishte kategorik në refuzim pasi në mendjen e tij është vetëm klubi mbretëror spanjoll.

Përfaqësuesin francez thuhet se e duan edhe dy klubet angleze, Liverpool e Arsenal, por kampioni i botës me Francën i ka idetë e qarta rreth së ardhmes së tij.

Mbappe refuzoi ta vazhdonte kontratën me PSG-në për një vit tjetër, ndonëse e kishte lënë si opsion kur e nënshkroi kontratën dyvjeçare me këtë klub në verën e vitit të kaluar, kur e “tradhtoi” Real Madridin. 


(Kosova Sot Online)