Dalin në shitje biletat e ndeshjes Drita – Viktoria Plzen

  • S.A /
  • 31 July 2023 - 13:20
Dalin në shitje biletat e ndeshjes Drita – Viktoria Plzen

Drita ka njoftuar se i ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e kthimit ndaj Viktoria Plzen në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, transmeton "Kosova Sot Online".

Gjilanasit përmes faqes së tyre zyrtare në Facebook kanë një njoftuar se biletat do të jenë në dispozicion që nga dita e sotme, ndërsa mund të blihen në mënyrë fizike nga ora 11:00 para teatrit të qytetit të Gjilanit. 

Gjithashtu, “Intelektualët” njoftojnë tutje se biletat do të shiten edhe në ditën e ndeshjes tek stadiumi “Fadil Vokrri” në dy pika të shitjes.

Sa i përket çmimeve, biletat në sektorin Veri do të kushtojnë 3 euro, në Lindje 5 euro, në Perëndim 7 euro dhe në zonën VIP 25 euro.

Kujtojmë se ndeshja e parë mes Dritës dhe Viktorias, e zhvilluar në Republikën Çeke, kishte përfunduar pa gola, 0:0.

Andaj, gjilanasit, të përkrahur nga tifozët e tyre të flaktë synojnë të kalojnë në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndonëse përballë do ta kenë gjigantin çek, i cili vitin e kaluar ishte përballur me ekipe të mëdha si Barcelona, Bayern Munich e Inter në Ligën e Kampionëve.

(Kosova Sot Online )