Vedat Muriqit i vjen keq që e humbi penalltinë, e bën një premtim për tifozët

  • E.K /
  • 14 August 2023 - 10:46
Vedat Muriqit i vjen keq që e humbi penalltinë, e bën një premtim për tifozët

Vedat Muriqi nuk e nisi sezonin e ri të La Ligas në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sulmuesi kosovar, i cili ishte protagonist me 15 gola në edicionin e kaluar, në xhiron e parë të sezonit 2023/24 nuk arriti të shënonte gol për Mallorcan në barazimin 1:1 me Las Palmas.

Madje, prizrenasi e humbi edhe penalltinë, e cila do të mundë t’ia siguronte tri pikë ekipit ishullor, shkruan “Gazeta Express”.

E për këtë, 29 vjeçari ka shprehur keqardhje përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Nuk është rezultati që e dëshironim, do të vazhdojmë të punojmë si ekip. Do të doja të kontribuoja me gol për ekipin tim, por jini të sigurt se Pirati do të rikthehet”, shkroi ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios.

Përfaqësuesi kosovar shpreson ta gjejë golin në ndeshjen e parë sezonale në shtëpi, para tifozëve që aq shumë e duan, më 18 gusht kundër Villarrealit.

(Kosova Sot Online)