Guardiola: Jemi mjaft të lumtur që e fituam trofeun e parë të Superkupës së Evropës

  • E.K /
  • 17 August 2023 - 13:08
Guardiola: Jemi mjaft të lumtur që e fituam trofeun e parë të Superkupës së Evropës

Trofeu i Superkupës së Evropës ka shkuar tek Manchester City, i cili e mposhti Sevillën në stadiumin “Karaiskakis” në Greqi pas gjuajtjes së penalltive.

Trofeu i ngrit lart nga ekipi i Pep Guardiolës pasi kampioni anglez dhe evropian ishte më i saktë nga gjuajtjet e 11 metërshit, duke fituar 6:5, ndërsa loja e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën baras, 1:1.

Rezultatin e zhbllokoi En-Nesyri me kokë në minutën e 25-të, ndërsa më pas Cole Palmer i barazoi shifrat në atë të 63-të.

Në lotarinë finale, vendimtar ishte gabimi i Gudelj, i cili e qëlloi tërthorësen.

Trajneri Pep Guardiola ndihet i lumtur që pas Ligës së Kampionëve, në “Etihad Stadium” e solli edhe trofeun e parë të Superkupës së Evropës.

“Jemi vërtet të lumtur që e kemi tashmë në vitrinat tona edhe trofeun e Superkupës së Evropës. Tash do të mundohemi ta fitojmë edhe një trofe (Botërorin e klubeve)”, deklaroi trajneri spanjoll.

Sa i përket lojës së mbrëmshme, Guardiola thotë se “Citizens” luajtën më mirë në fund dhe kanë mundur të shënonin gol, me të cilin do të mundë ta mbyllnin çështjen e fituesit.

(Kosova Sot Online)