Superliga rikthehet sot me tri ndeshje

  • S.A /
  • 07 October 2023 - 09:26
Superliga rikthehet sot me tri ndeshje

Superliga e Kosovës në futboll do të rikthehet sot me tri ndeshje të xhiros së nëntë, transmeton "Kosova Sot Online".

Malisheva dhe Drita do ta luajnë një ndeshje që pritet të jetë mjaft interesante mes të tretit dhe të katërtit në tabelë. Edhe sfida ndërmjet Gjilanit dhe Dukagjinit pritet të jetë e baraspeshuar dhe me plot ethe.

Kurse, Feronikeli 74 e pret Fushë Kosovën, e cila nuk e ka shijuar ende fitoren duke e parë veten në vendin e fundit në tabelë. E skuadra nga Drenasi është e teta dhe një fitore eventuale do ta ngriste atë në tabelë.

Ndërkaq, derbi i kësaj xhiroje do të luhet nesër.

Pa dyshim, vëmendja e të gjithëve do të jetë tek super-sfida e futbollit të këtushëm, Prishtina – Ballkani, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Therandasit vijnë nga fitorja me gjigantin ballkanik, Dinamo Zagreb dhe llogarisin në fitore në kryeqytet për ta ruajtur primatin në tabelë, pas fitores që e arritën paraprakisht ndaj Llapit, të cilin e rrëzuan nga froni.

Nga ana tjetër, prishtinasit s’kanë fituar qe pesë ndeshje dhe një triumf eventual do t’i këndellte ata pas krizës që i ka kapluar.

Kjo ndeshje do të luhet të dielën, njëjtë si ajo mes Llapit e Lirisë.

Llapjanët pas humbjes në Suharekë duan t’i kthehen fitores për të mbetur lartë në tabelë, ndërsa pikët iu duhen edhe prizrenasve, të cilët e shohin veten në vendin e parafundit në tabelë.

Të gjitha ndeshjes e kësaj xhiroje do të nisin në orën 15:00. 

(Kosova Sot Online )