Mourinho kalon presionin te Interi

  • A.P /
  • 25 October 2023 - 18:50
Mourinho kalon presionin te Interi

Kartoni i kuq i marrë në fundin e ndeshjes me Monzën do ta lërë Jose Mourinhon në tribunën e “San Siros” në ndeshjen kundër Interit, teksa shumë e kanë konsideruar si me dashje këtë gjest të portugezit, për të mos u përballur me skuadrën ku ka bërë historinë.

Megjithatë tekniku i Romës ka hedhur poshtë këto aludime dhe ka kërkuar që të ndëshkohen edhe trajnerë të tjerë, njësoj siç u ndëshkua ai.
“Ata që e konsiderojnë një karton të kuq me dashje, janë idiotë. Unë kam bërë historinë me Interin, por tani jam te Roma dhe dua të fitoj me Romën. Do të doja shumë të isha me djemtë në këtë përballje, aty pranë vijës, duke i udhëzuar, por u ndëshkova për një sjellje që e bëjnë shumë trajnerë dhe që ia kanë hedhur paq gjithmonë. Nuk e di a ishte një ndëshkim i drejtë”, tha portugezi.

Në prag të sfidës së Europa League me Slavian e Pragës, trajneri portugez i Romës pranoi se do të jetë e vështirë përballja me zikaltrit, për vetë forcën dhe organikën që kanë.

“ne nuk e kemi luksin të lëmë lojtarët titullarë pushim në ndeshjen ndaj Slavias. Në fundjavë na pret një sfidë shumë e vështirë, përballë një Interi që për mendimin tim duhet të fitojë titullin kampion me 20 pikë diferencë nga vendi i dytë. Ka organikë shumë të fortë dhe alternativa pa fund, që do t’i ëndërronte çdo skuadër”, tha Mourinho, duke kaluar presionin nga zikaltrit.

(Kosova Sot Online)