Hapet procedura penale ndaj tifozit të Udineses

  • A.P /
  • 23 January 2024 - 21:47
Hapet procedura penale ndaj tifozit të Udineses

Zyra e prokurorit publik në Udine ka konfirmuar se është ngritur procedim penal kundër një tifozi të Udineses, i përfshirë në abuzimin racist ndaj portierit të Milanit, Mike Maignan, gjatë ndeshjes së fituar 2:3 nga “Kuqezinjtë” të shtunën.

Autoritetet sportive kishin nisur tashmë hetimet e tyre për ngjarjet diskriminuese të ndodhura në “Stadio Friuli” gjatë fundjavës, por tashmë, një tifoz po përballet edhe me veprën penale

Prokurori, Massimo Lia, konfirmoi në një deklaratë të martën se një hetim është ende në vazhdim për të sqaruar detajet specifike të asaj që ndodhi të shtunën dhe për të identifikuar çdo person tjetër përgjegjës.

Në përgjigje të thirrjeve raciste nga tribuna gjatë ndeshjes së Milanit kundër Udineses, Maignan doli nga fusha, gjë që bëri që loja të pezullohej për disa minuta.

Një tifozi 46-vjeçar të Udineses, që vije nga qyteti i Udines, tashmë i është dorëzuar një urdhër DASPO, i cili e ndalon hyrjen në stadiume për një periudhë deri në pesë vjet.

Por, klubi i Udineses shkoi edhe një hap më tej, duke e ndaluar përgjithmonë hyrjen e tij në stadium me efekt të menjëhershëm.

Udinese është urdhëruar gjithashtu që ndeshjen e ardhshme si vendase në Serie A, ndaj Monzas më 3 shkurt, ta luajë me dyer të mbyllura.

(Kosova Sot Online)