Bonucci konfirmon synimin e tij për të luajtur në “Euro 2024”

  • S.A /
  • 24 January 2024 - 09:19
Bonucci konfirmon synimin e tij për të luajtur në “Euro 2024”

Ish-kapiteni i Italisë dhe Juventusit, Leonardo Bonucci, ka konfirmuar se një nga objektivat e tij kryesore për muajt e mbetur të sezonit 2023/24 është të thirret nga Luciano Spalletti për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet verës në Gjermani, transmeton "Kosova Sot Online ".

Tetë herë fituesi i Serie A përfaqësoi për herë të fundit “Azzurrët” në humbjen 2:0 kundër Austrisë, në një ndeshje miqësore në nëntor të vitit 2022. Që atëherë, ai karrierën e vazhdoi duke u larguar nga Juventusi për t’iu bashkuar Union Berlinit, në një transferim si futbollist i lirë në verën e kaluar.

Por, qendërmbrojtësi italian bëri një lëvizje edhe në janar të këtij viti, duke kaluar te Fenerbahçe. Megjithatë, pavarësisht një viti të “turbullt” në nivel klubesh, Bonucci mbetet i etur për t’u ribashkuar me ekipin e tij kombëtar deri në kohën kur Evropiani do të fillojë në verë. Në një intervistë për faqen e klubit të Fenerbahçes, 36-vjeçari konfirmoi ambiciet e tij për të qenë me Italinë në Gjermani. “Qëllimi im është të jem atje, kam pasur një takim me Spallettin para transferimit. E di që nuk është një turne i lehtë. Ka vende të forta, por ne jemi kampionët në fuqi. Le të shkojmë përsëri në Gjermani”, tha ai. “Ne do të shkojmë të mbrojmë titullin tonë, gjithashtu dua të jem atje si pjesë e kombëtares, të gjithë duan të jenë atje. Do të jap më të mirën nëse përfshihem”, deklaroi Bonucci. 

(Kosova Sot Online )