
Lexoni edhe:
Kush janë politikanët që po tentojnë ta largojnë nga skena politike Albin Kurtin?
Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka
Deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit për diskutimet mbi sanksione ndaj anëtarëve të Qeverisë Kurti nuk duhen trajtuar si një episod i zakonshëm politik apo si përplasje personale mes figurave institucionale. Kjo çështje meriton debat serioz shtetëror, sepse prek marrëdhëniet e Kosovës me aleatin e saj më strategjik – SHBA-të dhe partnerët perëndimorë.
Kush janë politikanët që po tentojnë ta largojnë nga skena politike Albin Kurtin?
Lexoni edhe:
-Nëse një presidente e Republikës deklaron publikisht se në qarqe amerikane dhe perëndimore janë diskutuar sanksione “me emra e mbiemra” ndaj zyrtarëve të qeverisë, atëherë kjo nuk mund të relativizohet si retorikë politike. Një presidente, për shkak të rolit kushtetues dhe qasjes në komunikime të nivelit të lartë, zakonisht nuk flet pa pasur një bazë serioze informative. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se Vjosa Osmani meriton prioritet në këtë debat publik – jo si figurë partiake, por si bartëse e informacionit institucional.
Megjithatë, deklaratat e saj hapin disa pyetje të rëndësishme që nuk mund të anashkalohen.
Së pari, pse publiku nuk është informuar më herët për seriozitetin e situatës? Nëse ka pasur realisht diskutime konkrete për masa ndëshkuese ndaj anëtarëve të Qeverisë dhe pasoja për shtetin e Kosovës, qytetarët kanë të drejtë të dinë se sa afër ka qenë vendi një përplasjeje diplomatike me aleatët. Nuk mund të thuhet për muaj të tërë se bëhet fjalë vetëm për “mospajtime normale mes partnerësh”, ndërkohë që në prapaskenë qarkullojnë paralajmërime për sanksione.
Nga ana tjetër, duhet kuptuar edhe natyra e diplomacisë. Paralajmërime të tilla shpesh trajtohen fillimisht në kanale të mbyllura për t’i dhënë kohë institucioneve të korrigjojnë kursin pa dëmtuar interesin shtetëror. Kjo mund ta shpjegojë heshtjen publike, por nuk e përjashton nevojën për transparencë politike pasi rreziku bëhet real.
Së dyti, deklarata e Osmanit përmban një kritikë të qartë, ndonëse të formuluar me gjuhë diplomatike, ndaj mënyrës së qeverisjes së Albin Kurtit. Kur ajo thotë se “veprimet kanë qenë legjitime”, por “rruga si janë bërë nuk ka qenë e koordinuar”, praktikisht po bën ndarjen mes qëllimit dhe metodës.
Kjo do të thotë: po, shteti i Kosovës kishte të drejtë të vepronte në veri dhe të afirmonte rendin kushtetues, por jo duke anashkaluar koordinimin me partnerët që historikisht kanë garantuar sigurinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Në gjuhën diplomatike, kjo është një kritikë serioze ndaj stilit politik të vendimmarrjes së Kurtit – jo domosdoshmërisht ndaj substancës së politikave të tij.
Dhe pikërisht këtu duhet matur debati. Kosova nuk mund të ndërtojë sovranitet të qëndrueshëm duke hyrë në tension të panevojshëm me SHBA-të. Një shtet i vogël, me sfida të hapura të sigurisë dhe njohjeve ndërkombëtare, nuk e ka luksin e konfliktit diplomatik me aleatët kryesorë. Sovraniteti nuk forcohet duke i injoruar partnerët strategjikë, por duke i koordinuar veprimet në mënyrë që interesat shtetërore të ecin paralelisht me mbështetjen ndërkombëtare.
Kur Osmani thotë se “pasoja do të paguhej nga Republika e Kosovës”, kjo duhet marrë seriozisht. Ajo nënkupton se nuk do të goditeshin vetëm individët, por vetë kapaciteti diplomatik dhe politik i shtetit: mbështetja ndërkombëtare, projektet strategjike, fuqia lobuese dhe besimi i partnerëve.
Megjithatë, duhet thënë qartë edhe kjo: përplasjet taktike me SHBA-të nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht prishje të aleancës strategjike. Kosova mbetet interes strategjik i Perëndimit dhe raporti me SHBA-të është shumë më i madh se çdo qeveri apo mandat individual. Por kjo nuk do të thotë se pasojat e tensioneve janë të parëndësishme. Historia diplomatike njeh shumë raste kur moskoordinimi politik u ka kushtuar shteteve të vogla vite të tëra izolimi e humbje ndikimi.
Prandaj, para se kjo çështje të reduktohet në debat partiak “pro Kurtit” apo “pro Osmanit”, duhet parë si çështje shtetërore. Në këtë moment, mendoj se Vjosa Osmani duhet dëgjuar me seriozitet dhe prioritet institucional, sepse po flet për një rrezik të mundshëm që prek vetë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".