
Lexoni edhe:
Sado i madh të jetë mobilizimi i mërgatës, Vetëvendosje shumicën e votave i merr në Kosovë
Shkruan: ANALISTI-Skender Kapiti
Qëndrimi mbështetës karshi Albin Kurtit është një provë për politikanët patriotë, për opozitën dhe për mediat e intelektualët e Shqipërisë. Dhe mendoj që këta duhet ta mbështesin Kurtin, sepse Kosova sot është përballë një kërcënimi të madh jo vetëm nga Serbia e Rusia, por edhe nga opozita aktuale në Kosovë, nga mediat, opinionistët e intelektualizmi mercenar, i shitur dhe i korruptuar, si dhe nga qëndrimi i çuditshëm i qeverisë dhe i kryeministrit të Shqipërisë.
-Korrupsioni sot ka marrë përmasat e një përbindëshi që ka kapur demokracinë, politikën, shtetin, qeverisjen, shoqërinë, drejtësinë, mediat, akademinë, arsimin, shëndetësinë etj., aq sa po bëhet një fenomen normal dhe i pasfidueshëm në Kosovë dhe sidomos në Shqipëri. Dëmi më i madh shtetit, shoqërisë dhe demokracisë i vjen nga korruptimi i politikës, qeverisë, mediave dhe institucioneve të shtetit. Aq i dëmshëm është korrupsioni sa që ai është bërë kërcënim real për Sovranitetin Kombëtar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është sot model dhe etalon ndershmërie, pastërtie e pakorruptueshmërie, dhe prandaj ky është edhe shkaku se përse i gjithë korrupsioni institucional e shtetëror në Kosovë e Shqipëri dhe disa politikanë ndërkombëtarë i janë kundërvënë atij dhe punojnë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti, duke krijuar lloj-lloj pengesash e krizash politike.
Kush bën punë të mira për interesin kombëtar, ai është patriot i vërtetë.
Kurti është etalon patriotizmi dhe prandaj edhe miku i madh i shqiptarëve, Ambasadori William Walker, i ka porositur mediat në Prishtinë që ta mbështesin Kryeministrin Kurti. Ambasadori William Walker është një ndër miqtë më të mëdhenj të Kosovës, ish-Shef i Misionit Verifikues të Kosovës, i cili demaskoi masakrat serbe në Kosovë kur ai pa kufomat e 45 shqiptarëve që u masakruan nga makineria gjenocidiste serbe dhe që mundësoi ndërkombëtarizimin e gjenocidit serb, gjë e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s dhe që solli çlirimin e Kosovës. Ai mbetet miku i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës. Dhe me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ai i porositi gazetarët në Prishtinë kur u bëri thirrje: “Ju lutem jepni kryeministrit tuaj meritat që ka, e që i ka të mëdha. Ju lutem që, kohë pas kohe, të thoni diçka të mirë për të. Në rregull? Ai po bën një punë të mirë”, ka porositur William Walker gazetarët.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".