Eriksson do ta udhëheqë Liverpoolin në ndeshjen e legjendave për bamirësi ndaj Ajaxit

  • E.k /
  • 13 February 2024 - 13:45
Eriksson do ta udhëheqë Liverpoolin në ndeshjen e legjendave për bamirësi ndaj Ajaxit

Trajneri suedez, Sven-Goran Eriksson do t’i bashkohet ekipit të legjendave të Liverpoolit në ndeshjen bamirëse në “Anfield Road” kundër legjendave të Ajaxit në muajin mars.

75 vjeçari e zbuloi pak muaj më parë se ishte diagnostifikuar me kancer.

Gjithashtu, ai zbuloi se është tifoz i “Reds” dhe se gjithmonë ka qenë dëshirë të ishte trajner i Liverpoolit, shkruan “BBC”.

Ndërkohë, gjiganti anglez tash do t’ia japë mundësinë atij t’i drejtojë legjendat e Liverpoolit, përfshirë këtu Ian Rush, John Barnes e John Aldridge.

Loja do të zhvillohet më 23 mars dhe do të ketë karakter bamirës, derisa Liverpooli i ka bërë ftesë zyrtare ish-selektorit të Anglisë dhe familjen e tij për të qenë të pranishëm në “Anfield Road”.

Duke e pasur parasysh shëndetin e tij, Liverpooli dëshiron t’ia japë rastin ish-trajnerit të Lazios që së paku një herë ta drejtojë ekipin e tij të zemrës.

Ai e kishte fituar Kupën UEFA me Gothenburg dhe Kupën e Fituesve të Kupave me Lazion.

Gjithashtu, e kishte fituar titullin në Serie A në karrierën e gjatë dhe të suksesshme si trajner, ndërsa i kishte drejtuar edhe Manchester Cityn dhe Leicester Cityn. 

(Kosova Sot Online)