Tri ndeshje interesante sot në Superligë

  • A.P /
  • 31 March 2024 - 09:34
Tri ndeshje interesante sot në Superligë

Sot do të zhvillohen tri ndeshjet e fundit të javës së 27-të në Superligën e Kosovës.

Llapi, që do të jetë nikoqir i Lirisë në “Zahir Pajaziti”, me një fitore eventuale mund të bëhet lider i ri në tabelë.

Pas barazimit të Ballkanit dje me Prishtinën, tani diferenca e pikëve mes therandasve dhe llapjanëve është vetëm dy pikë. Ballkani ka 53 pikë, kurse Llapi 51.

Skuadra nga Podujeva llogaritet favorite absolute ndaj Lirisë së “pafuqishme”, e cila është e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të grumbulluara.

Gjilani – Dukagjini është sfida tjetër për ditën e sotme. Gjilanasit po “luftojnë” për t’i ikur pozitës së barazhit, derisa klinasit nuk është se rrezikojnë rënien nga Superliga.

Gjilani është i shtati në tabelë me 26 pikë, kurse Dukagjini i pesti me 34 sosh.

Ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit, mes Feronikelit ’74 dhe Fushë Kosovës.

“Nikli” momentalisht ndodhet në pozitën e tetë me 26 pikë të grumbulluara, pozitë e cila ia siguron ndeshjen e barazhit për të qëndruar në elitë.

Ndërsa, Fushë Kosova që po kalon formë të mirë xhirove të fundit, është e parafundit me 20 pikë dhe po synon që së paku të shmang rënien direkte në Ligën e Parë.

Të tri ndeshjet e sotme janë të parapara për t’u zhvilluar nga ora 15:00. 

(Kosova Sot Online)